Kujt i takojnë shtesat për fëmijë? Baftiju: Duhet të ndryshohet Rregullorja, nuk përshtatet me pagën minimale
Shkup, 6 shtator – Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Liridon Baftiju në Click 21 tha se kompensimi financiar për skemat sociale nuk është i përshtatur me rritjen e pagës minimale. Baftiju tha se për këtë ndryshim përgjegjës është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
“Rroga minimale që është ndryshuar tani nuk përputhet me Rregulloren e para tre viteve, sepse ne e kemi ndryshuar rrogën minimale, por nuk e kemi përshtatur me skemat sociale që i kemi, për rastet sociale”, deklaroi mes tjerash Baftiju duke treguar se kujt i takon shtesa për fëmijë sipas Rregullores.
Baftiju tha se përmes sporteleve për punë sociale në komuna po mundohen që të thjeshtësojnë procedurat për qytetarët. Baftiu tha se për momentin ka bashkëpunim të shkëlqyer me kryetarin e komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, i cili u ka siguruar zyrë brenda komunës, ndërsa tha se të njëjtin bashkëpunim nuk e ka me komunën e Çairit.
“Në Haraçinë është hapur me mbështetje të kryetarit të komunës së Haraçinës, të cilin e përshëndes, në Çair nuk kemi hasur në mbështetje të kryetarit të komunës, në komunën e Ilindenit njëjtë. Nuk keni hasur në mbështetje nga Visar Ganiu po thoni? Po. A po funksionon sporteli që e keni hapur? Sporteli funksionon, është iniciuar nga Qendra për Punë Sociale, konkretisht nga unë dhe paguhet nga Ministria e Punës Sociale”, tha Baftiju duke shtuar se komuna e Çairit nuk ka siguruar objektin dhe financat, ndërsa paralajmëroi takim me kreun e Sarajit Blerim Bexheti, për të gjetur zgjidhje për hapjen e një sporteli në Saraj.

