KSL ndërpret protestat përshkak daljes së ulët të protestuesve, paralajmërojnë padi penale

Shkup, 27 prill – Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) i ndërpret protestat të cilat i paralajmëroi se çdo ditë do t’i mbajë para Kuvendit dhe Qeverisë duke kërkuar harmonizimin e pagave me pagën minimale.

Vendimi është marrë pas takimeve të Bordit Ekzekutiv të sindikatës të mbajtura gjatë ditës së djeshme dhe të sotme.

Shkaku për daljen e dobët në protestën e djeshme, sipas KSL, janë presionet që janë bërë ndaj të punësuarve në sektorin publik për çka paralajmërojnë kallëzime penale.

“Duke parë dhe analizuar të gjitha informacionet që vinin nga anëtarët dhe përfaqësuesit tanë sindikalistë, ne morëm pasqyrë të një presioni të ashpër politik që u zhvillua dje në sektorin publik. Duke marrë parasysh pasojat që mund t’u ndodhin atyre, në fakt KSL-ja ka një përvojë shumëvjeçare në degradimin dhe shkarkimin e anëtarëve tanë për shkak të veprimtarisë sindikale, vendosëm në disa institucione të ngremë kallëzime penale kundër personave të panjohur, e gjitha kjo me qëllim mbrojtjen e identitetit të anëtarëve të cilët për shkak të deklaratës së tyre mund të përjetojnë shumë shqetësime në punën e tyre”, bën të ditur KSL në kumtesën e sotme.

Paralajmërojnë se syhapur do ta ndjekin zhvillimin e përmbushjes ose mospërmbushjes së detyrimeve ligjore për punëtorët në sektorin publik.

KSL paralajmëroi protesta ditore që do të fillonin dje, duke kërkuar rritje të pikës në 103 denarë bruto, në mënyrë që paga më e ulët në sektorin publik të jetë rreth 18.200 denarë dhe të ruhet dallimi i pagave të tjera. Ata nuk pajtohen me Projekt-ndryshimet e Ligjit për nëpunësit administrativ, me të cilin sipas tyre do të rriten pagat nga 100 në 200 denarë.