Kryetari i Kamenicës, Rahimaj: Agim Aliu po gënjen publiksht, komunat veriore nuk janë pjesë e AKK-së
Kryetari i Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, ka reaguar pasi Agim Aliu, kryetar i Bordit të Asociacionit ka deklaruar se katër komunat veriore janë bërë pjesë e AKK-së.
Rahimaj thotë se Agim Aliu po gënjen publikisht dhe se komunat ende nuk janë bërë pjesë e AKK-së, transmeton Telegrafi.
“Komunat e Veriut të Kosovës – Leposaviqi, Zveçani, e Zubin Potoku nuk janë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Ato me 14 dhe 15 shtator të vitit 2023 kanë votuar në kuvende komunale për tu bërë pjesë e AKK-së. Përkundër që vendimi është vlerësuar si i ligjshëm në MAPL, Agim Aliu dhe Sazan Ibrahimi nuk kanë lejuar asnjëherë Komunat e Veriut të Kosovës të bëhen pjesë e AKK-së”, ka pohuar ai.
“Fakti i dytë është se në asnjë raport të auditmit nuk mund të gjeni se këto komuna janë anëtare. Në raport paraqitet lista e anëtarëve dhe participimi i komunave.Fakti i tretë, që në raportin që ka sjellur vet sot bordi, shihet se Komunat e Veriut të Kosovës nuk janë anëtare. Ku po dëshirojnë t’i anëtarësojnë Komunat e Veriut të Kosovës, kasta e vjetër politike?”, ka theksuar ai.
Ndryshe, të enjten, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se katër komunat e pjesës veriore të Kosovës janë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Aliu, në një postim në ‘Facebook’, bëri të ditur se tre prej tyre janë pjesë qysh më herët e së fundmi, pjesë e saj është edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut, ku paguajnë gjithashtu anëtarësinë në AKK.
“Për hir të informimit të drejtë të qytetarëve, si kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njoftoj se katër komunat veriore janë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, tre prej tyre janë pjesë qysh më herët e së fundmi, pjesë e saj është edhe Komuna e Mitrovicës së Veriut, ku paguajnë gjithashtu anëtarësinë në AKK, andaj çdo përpjekje për ta mohuar e shtrembëruar këtë fakt, paraqet propagandë, shpifje të ulët, që nuk i kontribuon asgjë interesit të qytetarëve”, ka shkruar Aliu.