Kryetarët e komunave të rajonit të Mitrovicës urojnë fillimin e vitit të ri shkollor
Këtë të hënë ka filluar viti i ri shkollor dhe nxënësit tashmë janë rikthyer në bankat shkollore.
Kryetarët e komunave të rajonit të Mitrovicës i’u kanë uruar nxënësve vitin e ri shkollor, shkruan Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se sot është një ditë gëzimi për të gjithë fëmijët, e po ashtu edhe një fillim i ri në rrugën e dijes.
“Sot është ditë gëzimi për të gjithë fëmijët që u hapen dyert e shkollave dhe u kthehen bankave, shoqërisë, mësimeve e lojërave të tyre. Një fillim i ri në rrugën e dijes. Një rritje e ngritje më shumë. Emocione të veçanta edhe për prindërit dhe mësimdhënësit, të cilët me përkushtim e bashkëpunim i edukojnë brezat dhe i përgatisin me njohuri të reja për një të ardhme më të ndritur”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se sot është ditë e rëndësishme për të reflektuar edhe mbi “mungesën e përkrahjes për mësimdhënësit”, për të cilën ka premtuar se do ta ndryshojë këtë qasje.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, së bashku me drejtorin e Arsimit sot e kanë vizituar shkollën fillore “Naim Frashëri” dhe në institucionin parashkollor “IP- Foleja”, transmeton Telegrafi.
“Të dashur prindër, nxënës e mësimdhënës, urime viti i ri shkollor”, ka thënë Idrizi.
Derisa, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se viti i ri shkollor në Skenderaj ka filluar me ambiente të reja dhe kabinete funksionale.
“Edhe një tjetër vit i ri shkollor po nis për të gjithë nxënësit e komunës sonë, dhe për parashkollorë gjithashtu, në rrugën e mësimnxënies dhe mësimdhënies, në ambiente krejtësisht të reja, kabinete funksionale dhe kushte të përshtatshme për një proces që garanton cilësi në arsim!”, ka thënë Nura.