Kryeministri Kovaçevski në mbikëqyrje të rikonstruimit të sistemit të ujësjellësit në komunën e Bogdancit
Bogdanci, 12 qershor – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në ngjarjen me rastin e fillimit të rindërtimit të rrjetit të ujësjellësit në Bogdanci. Në këtë ngjarje morën pjesë ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, kryetari i Komunës së Bogdancit, Bllazhe Shapov, si dhe përfaqësues nga realizuesit dhe mbikëqyrësit e këtij projekti.
Me rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit parashikohet zëvendësimi i tubave të vjetër të azbestit prej më shumë se 50 vitesh me tuba të rinj bashkëkohor, si dhe zëvendësimi i ujëmatësve ekzistues me instrumente të reja matëse bashkëkohore.
Realizimi i këtij projekti kushton mbi 4 milionë euro, me një periudhë realizimi 40 mujore. Me zbatimin e këtij projekti do të sigurohet ujë i pijshëm i pastër cilësor për amvisëritë në Bogdanci dhe rrethinë.
“Sot këtu bashkë me ju shënojmë fillimin e rindërtimit të ujësjellësit në Komunën e Bogdancit, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për këtë komunë, i cili do të sigurojë ujë të pijshëm të shëndetshëm, do të reduktojë humbjet financiare dhe do të vendosë standarde të larta për menaxhimin e ujit në Bogdanci. Ky është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të ujësjellësit, i cili financohet plotësisht me fondet e brendshme, buxhetore dhe në zbatimin e tij përfshijmë teknologji bashkëkohore. Një vlerë shtesë e projektit është se paratë do të kthehen sërish sepse kompanitë vendore do të punojnë, pasi materialet që inkorporohen janë të kompanive, një prej prodhuesve më të njohur evropianë të tubave këtu në këtë rajon, si dhe kompanitë e ndërtimit që punojnë në projektin. Ne kujdesemi për çdo pjesë të vendit tonë, kujdesemi për nevojat e qytetarëve kudo dhe zgjasim dorën kujtdo që duhet. Këtë e kemi dëshmuar me kujdesin tonë të vazhdueshëm dhe në të gjitha vendbanimet anembanë vendit, ku ofrojmë kushte për zhvillim të barabartë rajonal”, tha Kovaçevski në fjalimin e tij në ngjarjen e sotme në Bogdanci.
Gjithashtu, ai shtoi se në fushën e mjedisit jetësor janë realizuar ose janë në zbatim rreth 40 projekte dhe rreth 10 projekte të tjera janë në procedurë tenderimi për ndërtimin, rikonstruim apo rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit në tërë vendin tonë.
Kryeministri midis tjerash rikujtoji arritjet e vitit 2022.
“Vitin e kaluar 2022, siç e dini, e kemi rrumbullakuar me 465 milionë euro investime kapitale, që është përqindja më e lartë e investimeve kapitale të realizuara, gati 90 për qind e asaj që ishte planifikuar në raport me 10 vitet e fundit. Pavarësisht se u përballëm me sfidat e krizës botërore ekonomike dhe energjetike, ia dolëm të demantojmë dyshimet se nuk do të kishte sukses duke arritur rezultate të shkëlqyera në realizimin e projekteve të shumta, duke investuar në një standard më të mirë jetese për qytetarët, natyrisht, mbi të gjitha në projektet infrastrukturore si ky këtu”, tha Kryeministri, i cili u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të komunave, pavarësisht se nga cila parti politike vijnë, të ndjekin shembullin e kryetarit të Bogdancit dhe bashkë me Qeverinë të punojnë për zbatimin e këtyre projekteve infrastrukturore për të cilat janë ndarë fonde buxhetore, si dhe dy linja kreditore nga BEI dhe BERZH-i, por edhe grante nga BE-ja.
Investimi në projekte kapitale, siç theksoi kryeministri, është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Investojmë në sektorë të lënë pas dore prej vitesh, siç është infrastruktura rrugore dhe në të njëjtën kohë po bëjmë një hap të madh përpara duke ofruar rrjete të reja, bashkëkohore të furnizimit me ujë, me të cilat do të sjellim ujë të pijshëm cilësor dhe të pastër në shtëpitë e qytetarëve tanë. Ne vazhdojmë me projekte që janë të dukshme dhe që shpresoj të zgjasin edhe për shumë vite të tjera. Me këtë po lëmë gjurmë të madhe, gjurmë të pashlyeshme për gjeneratat e ardhshme, kujdesemi për qytetarët në vepër dhe në këtë mënyrë përmirësojmë kushtet e jetesës në të gjitha komunat e vendit”, tha Kovaçevski.
Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova tha se ndërtimi i kësaj infrastrukture në Bogdanci sjell përfitime të shumëfishta.
“Me projekte si ky në Bogdanci po ndërtojmë një infrastrukturë që lidhet drejtpërdrejt me sigurimin e cilësisë së jetës për qytetarët. Përfitimet janë të shumëfishta: sistem bashkëkohor për furnizim me ujë, ujë i pastër për mbi 5.000 banorë të këtij rajoni, ndërrimi i tubave të vjetër të azbestit, parandalimi i humbjes së ujit në sistem, që do të thotë kursime financiare si për familjet ashtu edhe për komunën, si dhe përfshirje e kompanive vendore, që zhvillon ekonominë vendore dhe hap vende të reja pune”, theksoi ministrja Shukova. Ajo bëri të ditur se ka filluar formimi i zyrës së projektit për realizimin e këstit të dytë të kredisë nga Banka Evropiane e Investimeve për furnizimin me ujë dhe heqjen dhe pastrimin e ujërave të zeza, ku fondet do të jenë në dispozicion të të gjitha komunave në vend dhe do të shpërndahen sipas metodologjisë së vendosur.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Bogdancit, Bllazhe Shapov e cilësoi këtë projekt si kapital dhe të dobishëm për banorët e Bogdancit.
“Rreziqet shëndetësore, mungesa e ujit në zona të caktuara të qytetit, prishjet dhe humbjet e shpeshta të ujit, mosekzistenca e kadastrës nëntokësore janë arsyet pse vendosëm të rindërtojmë rrjetin shpërndarës për ujësjellësin në Bogdanci. Projektet e tilla kapitale, përveç që plotësojnë nevojat e qytetarëve, krijojnë kushte për rritjen e ekonomisë lokale”, tha kryetari i Komunës së Bogdancit, Shapov, në shënimin e sotëm të fillimit të rindërtimit të rrjetit të ujësjellësit në Bogdanci.

