Kroçera “Seven Seas Grandeur” me 728 turistë ndalon në Portin e Durrësit

Në Portin e  Durrësit mbërriti sot për herë të parë kroçera luksoze “Seven Seas Grandeur” me 728 turistë në bord.

Kroçera me turistë kryesisht nga SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Brazili, Gjermania, Spanja e Japonia, u ndal në kalatën nr.5 të portit më të madh në vend.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur për ATSH-në se “gjatë këtij viti në Portin e Durrësit kanë mbërritur mijëra turistë me kroçera duke konfirmuar gjithnjë e më shumë se Durrësi është një nga destinacionet më tërheqëse të itinerareve mesdhetare për kroçerat ndërkombëtare”.

Për më tepër, prania e vizitorëve gjatë muajve të vjeshtës dëshmon se sezoni turistik në Durrës nuk përfundon me verën dhe se turizmi detar po shndërrohet në një trend gjithëvjetor, duke promovuar vendin tonë si destinacion gjithëvjetor për vizitorët e huaj.

Pas ndalesës në Durrës kroçera do të vijojë lundrimin drejt Kotorrit (Mal i Zi).

Kjo kroçerë shënon edhe mbylljen e sezonit të kroçerave për vitin kalendarik 2025 në Durrës.