Kriza energjetike/ Spitalet do të funksionojnë me fatura të papaguara

Shkup, 27 Shtator – Disa klinika do të kuresjnë rrymë elektrike për shkak të krizës energjitike dhe për këtë u janë dhënë instrukcione drejtorëve të spitaleve, thotë ministri i Shëndetësisë Bekim Sali. Ai nuk deshi të komentojë borxhin e spitaleve i cili arrinë deri 7,6 milionë euro.

“Për mos të hasur me pengesa të funksionimit normal të institucioneve unë si ministër i Shëndetësisë kam dhënë një letër qarkulluese deri tek të gjithë menaxherët e institucioneve publike lidhur me kursimin e mundshëm të energjisë elektrike dhe kemi dhënë sugjerime se ku mund të kursehet” – deklaroi Bekim Sali.

Sali siguroi qytetarët se të gjitha spitalet do të jenë në dispozicion pa pengesë të funksionimit edhe pse faturat i kanë të papaguara.

“Natyrisht se ka pjesë të spitaleve ku ne nuk mund të kursejmë dhe aty duhet të sigurojmë kontinuitet në funksionimin e spitaleve. Dua të njoftoj publikun se shëndetësia, institucionet shëndetësore edhe gjatë krizës së energjisë elektrike dhe të ngrohjes nuk do të has në asnjë pengesë të funksionimit të saj normal” – tha Sali.

Spitalet e vendit kanë borxh 7,6 milionë euro, prej të cilave 6,5 milionë nga 12 muajt e fundit, ndërsa borxhi më i madh është nga Qendra Klinike “Nënë Tereza”, të cilës i përkasin pothuajse 90 për qind e faturave të papaguara.