Krimet në Ukrainë, ministrja Xhaçka do të drejtojë takimin për llogaridhënien në Këshillin e Sigurimit

Më 27 prill 2022, ora 15 (ora lokale Nju Jork), dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Shqipëria dhe Franca, në bashkëpunim me Ukrainën, do të organizojnë një takim në formatin Arria me temën: “Të sigurojmë llogaridhënien për krimet e tmerrshme të kryera në Ukrainë”.
Ky aktivitet është bashkësponsorizuar nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit: SHBA, MB, Irlanda, Norvegji si dhe nga Australia, Belgjika, Kolombia, Krocia, Cekia, Danimarka, Gjermania, Islanda, Italia, Japonia, Letonia, Litejshteini, Luksemburgu, Ishujt Marshall, shtetet Federale të Mikronezisë, Mali i Zi, Hollanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Sllovakia, Suedia dhe Bashkimi Evropian.

Shqipëria do të përfaqësohet nga MEPJ, znj. Olta Xhaçka, e cila do të drejtojë takimin që pritet të zgjasë mbi 3 orë.
 
Në takim pritet të raportojnë: Znj. Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së;  Z. Karim A.A.Khan, Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC); Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Zj.Iryna Venediktova. Po ashtu, nga shoqëria civile do të marrin pjesë Znj. Amaal Clooney përfaqësuese e Fondacioint Clooney për Drejtësi; Zj. Ida Sawyer, Drejtuese e  Human Rights Watch.
 
Takimi do të ketë në fokus diskutimet mbi llogaridhënien dhe rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera në Ukrainë pas agresionit të Rusisë, si dhe mobilizimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar mekanizmat ligjorë ndërkomnbëtarë, si Gjykata Ndërkombëtare Penale apo gjykatat e vendeve të vecantë për të përdorur juridiksionin universal për të mos lejuar pandëshkueshmërinë dhe për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për krimet ndaj njerëzimit të kryera në Ukrainë. Ky takim vjen një muaj pas themelimit në OKB, në Nju dhe në Gjenevë, të Grupit të Miqve për Llogaridhënie pas agresionit rus, e ku Shqipëria është bashkëkryetare.