Krasniqi letër Kurtit: PDK-ja e gatshme për komunikim, situata në veri shqetësuese

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi i ka dërguar sot letër Kryeministrit Albin Kurti për situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e PDK-së për të komunikuar dhe harmonizuar veprimet e institucioneve në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të Kosovës

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë. Andaj, sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, ka shkruar Krasniqi.