Kovaçevski: Zgjerimi i BE-së është politikë e sigurtë, ngecja lë hapësirë për ndikime të vendeve të treta

Shkup, 28 mars – Zgjerimi i BE-së në thelb po bëhet politikë e sigurisë dhe ngecja në këtë proces krijon paqëndrueshmëri shtesë për rajonin, pasi ekzistojnë disa tendenca negative dhe krijohet hapësirë për ndikim dashakeqës nga palë të treta. Maqedonia e Veriut në mënyrë përkatëse u harmonizua me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së pasi ne i ndajmë vlerat e njëjta me BE-në dhe me vendet e NATO-s.

Këtë e potencoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp në Sofje pas takimit të shefave të qeverive të vendeve të Evropës Juglindore anëtare të NATO-s – kryeministrat e Bullgarisë, Kirill Petkov, Rumanisë, Nikollae Çuka dhe i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.

Kovaçevski potencoi se ai dhe kryeministrat Petkov, Krivokapiq dhe Çuka në takimin e sotëm e kanë vendosur si qëllim t’i potencojnë rreziqet potenciale dhe kanosjet e shqyrtuara si edhe t’i potencojnë premisat që duhet të çojnë drejt rezistencës më të mirë dhe koordinimit midis vendeve të Evropës Juglindore,

“Ky takim na e hap rrugën për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në sigurinë dhe stabilitetin tonë në kontekstin e pasojave të mundshme që mund të lindin nga kriza aktuale e sigurisë dhe humanitare në Ukrainë,” potencoi Kovaçevski dhe shtoi se vendet pjesëmarrëse të takimit ngelen fuqimisht në qëndrimin për të dënuar luftën në Ukrainë si një pushtimi i paligjshëm i Rusisë.

Ai shtoi se si aleatë dërguan një tjetër mesazh të fortë mbështetjeje dhe solidariteti me Ukrainën, por edhe për koordinimin e ardhshëm dhe rritjen e komunikimit ndërmjet këtyre katër vendeve në rajon.

“Kjo luftë në Ukrainë ka krijuar një realitet të ri në të gjitha sferat e jetës sonë, veçanërisht në drejtim të koordinimit të të gjitha përpjekjeve në prodhimin dhe zinxhirët e furnizimit ushqimor, si dhe stabilizimin e tyre, shpërndarjen dhe prodhimin e energjisë, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe koordinimit ushtarak”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski theksoi se shtyrja e procesit të anëtarësimit në BE për vendet e rajonit krijon dilema që mund të rezultojë në uljen e besimit të qytetarëve në BE.

“Megjithatë, edhe me sfida të tilla, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinje dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë. Është detyra jonë të qëndrojmë të fokusuar në promovimin e këtyre vlerave dhe parimeve. Gjatë presidencës sonë të ardhshme të OSBE-së në vitin 2023, si dhe ta shfrytëzojmë potencialin e iniciativave të tjera rajonale për ndërlidhje më të mirë, mirëkuptim dhe koordinim të ndërsjellë”, tha Kovaçevski.

Kryeministri bullgar, Kirill Petkov nga ana e tij tha se ëndrra e tij është një Ballkan i koordinuar në të gjitha sferat.

“Diskutuam që nëse ky koordinim vazhdon siç kemi filluar, ky rajon mund të bëhet një nga rajonet më progresive në Evropë. Diskutuam gjithashtu edhe për çështje të rëndësishme që lufta në Ukrainë i bëri edhe më urgjente për t’i zgjidhur,” tha Petkov.

Kryeministrat e Malit të Zi dhe Rumanisë, Krivokapiq dhe Çuka, ranë dakord se uniteti është kyç në përballjen e konflikteve dhe për këtë arsye në takim vendosën që të kthehen edhe më shumë drejt vlerave euroatlantike.