Kovaçevski thotë se ka bazë për hapje të Kushtetutës, Xhaferi: Nëse ka vullnet, pse jo?
Shkup, 6 Prill – Kryeministri Kovaçevski thotë se ka bazë që të hapet kushtetuta për heqjen e 20%-shit, temë kjo e cila u aktualizua pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë. Kovacevski vlerësoi se së pari duhet të nisë diskutimi në mes partive politike.
“Sa i takon kushtetutës, ka paralajmërime të atilla kuptohet. Kushtetuta ndryshohet në procedurë kushtetuese, ajo procedurë kushtetuese do të thotë se qeveria e Maqedonisë duhet të hap diskutim dhe fillimisht fillohet diskutim mes partive politike ku kyçen edhe ekspertë dhe gjithçka që do të jetë përparim i marrëdhënieve mes të gjithë qytetarëve, që do të thotë përparim jetesës dhe i shtetit në përgjithësi, si përparim dhe zhvillim profesional për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike dhe gjuhës të cilën e flasin. Normalisht kjo do të jetë një bazë e mirë për çfarë do lloj ndryshimesh në kushtetutë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Nëse ka vullnet pse jo, tha kryeparlamentari Talat Xhaferi për hapjen e kushtetutës.
“Procedurat për hapje të kushtetutës, dihet se me çfarë procedure hapet, me çfarë shumice, kështu që nëse ka ashtu vullneti pse jo”, theksoi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.
Partitë politike shqiptare janë në të njëjtit mendim se termi 20% duhet të hiqet nga kushtetuta.
“Mendoj se përfaqësuesit e shqiptarëve dhe maqedonasve duhet ta lëvizin edhe një hap më përpara marrëveshjen për shtetin e përbashkët dhe këtë numrin matematikor nënçmues dhe jo korrekt që ekziston në aktet normative të Maqedonisë, ai 20% në kushtetutë, 20% i famshëm duhet të zëvendësohet me popullin shqiptarë”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSh-së.
“Lëvizja Besa me LSDM-në kishte marrëveshje për grafën etnike në letërnjoftime. A u bë? Nuk kishte nevojë më 2/3 por me shumicë të thjeshtë 61 deputetë, a u bë. U tranuan maqedonasit. Pse? Pikërisht kjo, se përqindja e shqiptarëve dikton politika”, tha Valon Bela, Lëvizja Besa.

