Kovaçevski: Sanksione për secilin që nuk do të respektojë vendimin për shpenzime të reduktuara

Shkup, 16 mars – Me vendimin e djeshëm të qeverisë, çdo prokurim i mobiljeve apo automjeteve në institucionet shtetërore duhet të miratohet nga Qeveria dhe do të bëhet vetëm nëse është e nevojshme, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai shtoi se sa i përket mobilieve dhe automjeteve në kohën kur po përgatitej Buxheti i vitit 2022, shpenzimet aktuale janë ulur për tetë për qind, mobilimi është siguruar vetëm për pajisimin e kazermave dhe shkollave aty ku ka nevojë, si dhe janë siguruar automjete për shërbimet e inspektimit dhe për numrin dominues dhe institucione të tjera aty ku janë të nevojshme.

Lidhur me shpenzimet tjera, që janë shpenzimet aktuale për mallra dhe shërbime, të cilat janë të kufizuara me ulje në përqindje, si dhe shpenzimet për përfaqësim, të cilat janë të kufizuara me ulje prej 50 për qind, kryeministri Kovaçevski tha se kontrolli ushtrohet nga Ministria e Financave, sepse të gjitha institucionet kanë një pasqyrë në baza ditore për punën dhe kostot e tyre, përcjellë Zhurnal.

Kompanitë dhe shoqëritë publike shtetërore, tha kryeministri, kanë detyrim çdo tre muaj të dorëzojnë raporte financiare në Komisionin e Sistemit Ekonomikj, pas së cilës ato shqyrtohen dhe miratohen nga qeveria.

“Kushdo që nuk e respekton atë vendim do të sanksionohet në përputhje me ligjet për shoqëritë tregtare dhe marrëdhëniet e punës, paralajmëroi kryeministri Kovaçevski, i cili sot së bashku me ministrin e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Naser Nuredini dhe shefin e Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut. Dejvid Gir bëri një turne në terren në zonën e “OHIS”, ku janë duke përfunduar aktivitetet përgatitore për fillimin e procesit të pastrimit të deponisë së vogël me lindan.

Ndryshe, Qeveria ka miratuar masa anti-krizë për racionalizimin e shpenzimeve të sektorit publik, duke i obliguar të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë që të zvogëlojnë shpenzimet për mallra dhe shërbime për 10 për qind dhe të dorëzojnë propozimin e duhur për racionalizimin e shpenzimeve në Ministrinë e Financave më së voni deri më 21 mars.

Masat e racionalizimit ndalojnë fillimin e procedurave të reja për prokurimin e mobiljeve dhe automjeteve, përveç aktiviteteve të nevojshme për funksionimin e institucionit me pëlqimin paraprak të Qeverisë. Qeveria ka obliguar të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë dhe personat juridikë të themeluar nga shteti që të ulin me 50 për qind shpenzimet për përfaqësim, sponsorizime dhe reklama, si dhe përdorimin e automjeteve zyrtare. Të gjithë shfrytëzuesve buxhetorë dhe njësive shfrytëzuese iu dha obligimi që të zvogëlojnë numrin e udhëtimeve të biznesit dhe të reduktojnë ndjeshëm numrin e anëtarëve të delegacioneve kur udhëtojnë jashtë vendit. Qeveria udhëzoi gjithashtu kompanitë shtetërore dhe shoqëritë aksionare shtetërore që të ulin shpenzimet korrente me 15 për qind, të rishikojnë planet e tyre financiare dhe programet e investimeve dhe të informojnë qeverinë brenda 15 ditëve.

Në pyetjen e gazetarëve si është mundur të lejohet kompania që nuk ka licencë, gjegjësisht me certifikata të falsifikuara, të fitojnë tenderë për mirëmbajtjen e ashensorëve që kushtojnë kaq shumë, kryeministri Dimitar Kovaçevski u përgjigj se e inkurajon Prokurorinë Publike dhe të gjitha institucionet kompetente menjëherë ta hetojnë këtë rast.

“Nëse bëhet fjalë për pretendime të vërteta në media, të veprohet për sanksionimin e atyre që e kanë bërë këtë. Nuk e di saktë cilat institucione kanë marrëveshje me ato firma dhe kompani. Ndërkaq, ato marrëveshje normalisht duhet të ndërpriten. Kryerësit, nëse është e saktë, nuk e di nëse është e saktë, Prokuroria duhet ta hetojë këtë, të sanksionohen shumë ashpër, sepse bëhet fjalë për sisteme që do të thotë shumë për sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Kovaçevski në vizitën e sotme të përbashkët me ministri e Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredinin dhe shefin e Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e veriut, Dejvid Girin në lokacionin në qarkun e fabrikës “OHIS”, ku përfundojnë aktivitetet përgatitore për fillimin e procesit për pastrimin e deponisë së vogël me lindan.

I pyetur për vendimin e uniformave të policisë në të ardhmen krahas gjuhës maqedonase të qëndrojë edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe, kryeministri shpjegoi se ky është një vendim që del nga Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe bëhet fjalë për Dekret me të cilin zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.

“Është caktuar një periudhë deri në një vit, sepse për uniformat dhe pajisjet e tjera që kanë shenja, nevojitet një proces tenderimi dhe prodhimi të atyre pajisjeve. Prandaj është caktuar kjo periudhë”, shpjegoi Kovaçevski.

Ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas mbikqyrjes së aktiviteteve për pastrimin e lindanit nga deponia e vogël në qarkun e fabrikës “OHIS”, theksoi se kjo i detyrohet vendimit të shpejtë dhe në kohë, gjegjësisht masave dhe rekomandimeve nga ana e Qeverisë dhe efikasitetit të Kuvendit në miratimin e vendimeve ligjore të cilat menjëherë ishin shpallur dhe Komisioni rregullator mund të merrte vendimin.

Kovaçevski i pyetur për çmimin e naftës dhe derivateve të naftës, theksoi se përcaktohet nga ana e Komisionit Rregullator për Energjetikë i cili është komision i pavarur dhe në bazë të metodologjisë së shënuar sipas rekomandimit të Qeverisë që të mund të ndryshohet në nivel ditor, dhe jo në nivel javor.

“Me rritjen e çmimit të bursës, ka pasur disa ditë që nuk është korrigjuar menjëherë për shkak të harmonizimit shtatëditor. Disa nga kompanitë që operojnë në tregun e naftës dhe derivateve të naftës kanë shfaqur sjellje spekulative. Është sanksionuar menjëherë nga shërbimet përkatëse të inspektimit dhe disa kanë pësuar edhe humbje, të cilat deri në fund të ditës kur pritej rritja e naftës, jepnin karburant gjatë gjithë kohës. Metodologjia është e tillë që nuk mund të manipulohet dhe të gjitha çmimet që përcaktohen rregullohen sipas asaj metodologjie”, thotë Kovaçevski.

Ai theksoi se dje ka pasur ulje të çmimit të naftës dhe tha se nëse çmimi i naftës dhe derivateve të naftës stabilizohet, normalisht do të ndikojë në çmimin e shitjes me pakicë.

“Me sa po shoh unë, sot në mëngjes bursat janë rritur sërish, do të shohim si do të ecin gjatë ditës, sepse çmimet në bursa ndryshojnë çdo ditë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Evropa është në luftë, ka një luftë në Ukrainë, ku Rusia ka kryer agresion ushtarak kundër Ukrainës dhe e gjithë kjo ka pasur një efekt jashtëzakonisht negativ dhe të gjerë në çmimet e ushqimeve, plehrave, çmimet e lëndëve të para, veçanërisht hekuri, qymyri dhe lëndët e tjera të para bazë. Të gjitha 26 masat që Qeveria i miratoi javën e kaluar janë pikërisht për t’i adresuar këto sfida me të cilat përballemi, por edhe mbarë ekonomia botërore”, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.