Kovaçevski: Në vitin 2021 realizuam 79 për qind të investimeve kapitale, vazhdojmë me ritmin e njëjtë

Shkup, 22 mars – Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë inspektimit të ndërtimit të autostradës së shpejtë Gradsko-Prilep theksoi se në përputhje me analizat, efikasiteti i Qeverisë në pjesën e realizimit të investimeve kapitale është i shkëlqyeshëm edhe në kohë krize.

Ai tha se vitin e kaluar janë realizuar 79 për qind të investimeve kapitale dhe me të njëjtin ritëm po vazhdojmë edhe këtë vit.

“Rrugët luajnë rol të rëndësishëm në këto investime. Deri në fund të mandatit në vitin 2024, qëllimi im si kryeministër edhe i kësaj Qeverie është të kemi rrugë moderne dhe të sigurta që do të nënkuptojnë lëvizje më të shpejtë, por edhe ekonomi të fortë dhe të zhvilluar”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se investimet kapitale infrastrukturore ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik, për sigurimin e produktivitetit dhe punësimeve më të larta, uljen e shpenzimeve të prodhimit dhe të transportit për kompanitë dhe për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Qëllimi ynë është që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të ndërtohet dhe të lidhet me infrastrukturë rrugore cilësore, të sigurt dhe moderne. Që nga fillimi i mandatit të saj, kjo Qeveri ndërtoi dhe rindërtoi mbi 1000 km rrugë. Me të gjitha investimet, qytetarët udhëtojnë më lehtë dhe më të sigurt, ndërsa kompanitë i transportojnë produktet e tyre më shpejt dhe me efikasitet dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson kryeministri.

Sipas tij, kriza ekonomike me të cilën po përballemi kërkon fokus edhe më të madh dhe realizim më të shpejtë të investimeve kapitale.

“Dihet që në një kohë krize më e rëndësishme është që të investohet pikërisht në infrastrukturë, sepse ndërtimi është motori i ekonomisë. Për këtë shkak si Qeveri jemi të fokusuar në efikasitet edhe më të madh në realizimin e projekteve infrastrukturore”, nënvizoi Kovaçevski.