Kovaçevski: Mavrova dhe Rostusha do ta vazhdojnë rrugën e progresit me Kurtovskin

Shkup, 15 gusht – Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sot është takuar me banorët e rajonit të Mavrovës ku, siç thotë ai, përkrahja për kandidatin për kryetar të kësaj komune, Medat Kurtovski është e madhe.

“Është e rëndësishme që Mavrova dhe Rostusha të vazhdojnë të zhvillohen si komuna moderne, ekologjike dhe evropiane që i shfrytëzon të gjitha potencialet e saj, të cilat i ka me bollëk. Në periudhën e kaluar në Mavrovë dhe Rostushë janë investuar afërsisht 32 milionë euro për infrastrukturë dhe projekte që tashmë janë realizuar, disa janë në vijim. Mavrova ka të gjithë potencialin për t’u bërë një destinacion turistik me famë botërore”, tha Kovaçevski në takimin në kuadër të fushatës për zgjedhjet për kryetar të komunës, të cilat duhet të mbahen të shtunën (20 gusht).

Në periudhën e ardhshme, shtoi ai, Kurtovski do të realizojë një sërë projektesh në Mavrovë, duke përfshirë sanimin e rezervuarit të ujit në vendin Kërstovi, rehabilitimin e rrugës lokale, ndërtimin e rezervuarëve të rinj për ujë dhe ndërtimin e shtegut për biçikleta rreth liqenit.