Kovaçevski – Levic: Eurointegrim urgjent i Maqedonisë së Veriut, çështjet me Bullgarinë të zgjidhen jashtë procesit aderues

Shkup, 21 prill – Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një çështje e qëndrueshmërisë gjeopolitike për vetë BE-në në kohën dhe rrethanat e shkaktuara nga pushtimi rus në Ukrainë, theksoi presidenti i Republikës së Letonisë Egils Levic në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevskin në Qeveri.
Në takim ku morën pjesë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë e ngarkuar për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, u theksua se nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike para 26 viteve, dy vendet kanë marrëdhënie jashtëzakonisht miqësore dhe të ngushta me fokus të fuqishëm në dinamizimin e dialogut politik dhe shkëmbimit tregtar.
Kryeministri Kovaçevski në bisedën me presidentin Levic theksoi se e vlerëson qëndrimin e Letonisë që është vital procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut të vazhdohet me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se çështjet me Bullgarinë duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, jashtë procesit aderues.
Temë bisedimi ishte lufta në Ukrainë, për të cilën u theksua se është shkelje brutale e së drejtës ndërkombëtare dhe agresion i paprovokuar ushtarak nga Rusia ndaj një shteti sovran dhe se diplomacia dhe dialogu janë të nevojshme për ndërprerjen e veprimtarive ushtarake. /Zhurnal.mk