Kosova dhe Serbia pa marrëveshje përfundimtare për targat – si do të veprohet tutje?

Të enjten në Bruksel u mbajt takimi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, por që përfundoi pa ndonjë marrëveshje përfundimtare për targat.

Pas përfundimit të takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për media tha se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje pasi sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, deklaroi Bislimi.

Ai shtoi se tani i mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot.