Koreja e Veriut njoftoi se ka testuar raketa për vetëmbrojtje nga kërcënimet ushtarake të SHBA
Autoritetet në Kore të Veriut njoftuan se testimet e raketave janë për vetëmbrojtje nga kërcënimet ushtarake direkte të SHBA-së dhe ato nuk e kanë rrezikuar sigurinë e vendeve dhe rajoneve fqinje.
Koreja e Veriut ka kryer gjashtë lansime të raketave për 12 ditë nga kjo javë, duke përfshirë edhe lansimin e një rakete me rreze të mesme veprimi mbi Japoninë të martën.
“Testimet tona të raketave janë një masë normale, e planifikuar vetëmbrojtjeje për të mbrojtur sigurinë e vendit tonë dhe paqen rajonale nga kërcënimet direkte ushtarake nga SHBA-ja”, raportojnë mediat koreano-veriore, duke cituar një zëdhënës të Administratës së Forcave Ajrore.
Testimet e raketave “nuk përfaqësonin kurrfarë kërcënimi dhe nuk shkaktuan dëm për sigurinë e aviacionit civil, si dhe sigurinë e vendeve dhe rajoneve fqinje”.