Konjufca: Kosova dhe Shqipëria përballë sfidave duhet të jenë afër njëra-tjetrës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, priti sot në takim një delegacion të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga Mimi Kodheli, kryetare e komisionit.

Sipas njoftimit për media thuhet se në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërtuar në shumë fusha, veçanërisht në rrafshin parlamentar, por gjithashtu u shtrua nevoja e shfrytëzimit të hapësirave për të thelluar më tej këto marrëdhënie.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të parlamenteve respektive kontribuojnë në këmbimin e përvojave dhe avancojnë më tej bashkëpunimin ndër-parlamentar.

“Vendet dhe parlamentet tona janë vëllazërore, andaj përballë sfidave rajonale dhe globale duhet të jemi sa më afër njëri-tjetrit. Këto vizita dëshmojnë intensifikimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit ndërparlamentar”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit falënderoi Kodhelin për afirmimin e kërkesave të Kosovës nga ana e Shqipërisë, brenda strukturave të NATO-s.

“Duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetarja e delegacionit nga Kuvendi i Shqipërisë, Mimi Kodheli, vlerësoi lart frytet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Tiranës zyrtare për Kosovën në të gjitha sferat. Ajo tha se Kosova dhe Shqipëria janë pjesë të të njëjtit komb dhe se është kënaqësi e veçantë vizita në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për media.

Kodheli foli gjithashtu për takimet e qeverive të të dyja vendeve dhe për marrëveshjet e arritura, për të cilat tha se kanë nevojë për mbështetjen e parlamenteve.

Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë, si dhe u shqyrtuan mundësitë e përafrimit të mëtejmë të të dyja vendeve, në të gjitha fushat.