Konjufca e familjaret e të zhdukurve bëjnë homazhe te përmendorja e personave të zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizata të tjera, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës, kanë vendosur kurora me lule para përmendores së personave të zhdukur, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe disa ministra të kabinetit qeveritar.

Bajram Çerkini, nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që të jenë më aktivë për fatin e mbi 1600 të pagjeturve.

Ai ka kërkuar që të solidarizohen me familjarët e të pagjeturve duke e ndalë një dritë tre minuta.

“Është mirë që pas 23 viteve nuk po harrohen edhe 1612 vetë të cilët i kemi ende pa gjet. Nuk po harrohen edhe familjet të cilat janë gjithmonë duke qarë dhe duke i kërkuar më të dashurit e tyre, nuk po harrohen edhe ata që nuk po na thërrasin o hajde merrna e ne jemi ata që nuk po dimë ku janë. Një apel një kërkesë që e kemi pas tash një vit të ndalin një dritë tre minuta sot po e them ju kisha lut të gjithë ata që po na dëgjojnë e s’po na dëgjojnë le të mendojnë një sekondë për familjarët të cilët i kanë zemrën pa shëruar, shpirtin duke qarë shpesh herë edhe me lot e me gjak. I kisha lut të thonë o zot ndihmoju këtyre njerëzve dhe bëni më të vetëdijshëm vendorët e ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të pagjeturve”, tha Qerkini.

Ai pati kritika edhe ndaj ndërkombëtareve, për të cilën tha se për 20 vite nuk e kanë zgjidhur problemin e të pagjeturve.

“E vetmja shans na ka mbet se mediat mund të na ndihmojnë. Unë jam duke fol edhe më ndërkombëtar edhe me vendor, Brukseli nuk po do të na zgjidh problemin e janë duke e zvarrit problemin me Serbinë, për shkak se nuk ka shanse me këtë taktik qe 20 vjet Brukseli duke thënë merre me men do letra ngjitëse nuk po munden me i marr një vendim kështu duhet me hy veturat”, tha ai.