Konfirmohen deklaratat e Petkovit për spiunët rusë: Ka pasur vazhdimisht tentime për të bllokuar rrugën drejt BE

Shkup, 3 Prill – Nga këtu them se ky konstatim është i saktë. Se ka pasur vazhdimisht tentime që Ballkani Perëndimorë të mos lëvizë me dinamikën adekuate drejt BE-së, kështu ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot konfirmoi deklaratat e kryeministrit bullgar Kiril Petkov, i cili së fundmi deklaroi se shërbime pro ruse kanë punuar  për prishjen e marrëdhënieve Shkup-Sofje.

Osmani tha se gjatë gjithë kohës kanë tentuar të thonë të njëjtën, gjegjësisht se perspektiva evropiane e rajonit i pengon palëve të treta.

“Unë jam i kënaqur që po dëshmohet edhe me fakte dhe këtë posaçërisht e thonë miqtë tanë bullgarë që interes në bllokimin e perspektivës evropiane nuk ka asnjë anëtare e BE-së, por vetëm palët e treta që dëshirojnë që BE të dobësohet, për shkak se ka një rajon me çështje të hapura pa perspektiva të qarta. Ne gjatë gjithë kohës e thamë këtë, që në interes strategjik i Bullgarisë është të jetë lider i perspektivës evropiane në rajon dhe rajoni të konsolidohet në drejtim të anëtarësimit në BE. Për shkak se zgjerimi mbi gjitha është çështje sigurie. Bullgaria gjendet në këtë rajon tonin, siguria nuk mbaron në kufijtë e një shteti”, deklaroi Osmani.

Ndryshe, kryeministri Petkov tha se dy të punësuar në Agjencinë Shtetërore për Siguri Kombëtare të Bullgarisë kanë punuar që Maqedonia të mos ketë ardhmëri evropiane duke u shprehur i kënaqur që agjencia është marrë me këtë problem dhe që këta persona nuk do të punojnë më mbi këtë çështje.