Konferencë rajonale për përmirësimin e punësimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor
Shkup, 7 prill – Shkathtësitë e ardhshme profesionale, punësimi i të rinjve dhe mundësitë për sipërmarrësi janë temat e konferencës së sotme rajonale “Shkathtësitë për vendet e ardhshme të punës/ Skills For Future Jobs”, ku ekspertë vendor dhe ndërkombëtar do t’i prezantojnë zbulimet e fundit nga hulumtimi dhe do të shkëmbejnë përvoja praktike për atë se si të ndërlidhen shkathtësitë me vendet e ardhshme të punës bazuar në nevojat dhe pritshmëritë e tregut të punës.
Konferenca organizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e projektit “Arsimi për punësim në Maqedoninë e Veriut – E4E @ mk” dhe Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC).
Ministri Jeton Shaqiri tha se ngjarja shënon fillimin e realizimit të nismës rajonale që synon përmirësimin e punësimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor përmes fitimit të kompetencave të nevojshme për punë dhe duke e lidhur arsimin me tregun e punës.
“Ideja është që të krijohet platformë ekspertësh nga të gjitha vendet që do të bashkëpunojnë, shkëmbejnë përvoja dhe ndihmojnë vendet që përfaqësojnë në synimet e tyre për të krijuar potenciale kuadrovike pikërisht ashtu siç i nevojitet ekonomisë. Shpresoj që konferenca të jetë e suksesshme, kemi një numër të madh të folësve dhe pjesëmarrësve nga vendi dhe rajoni. Uroj që ky të jetë fillimi i një historie suksesi dhe konferenca të jetë traditë çdo vit në Shkup. Çdo vend i rajonit do të ketë mundësi të jetë nikoqir i ngjarjeve të tilla në të ardhmen dhe së bashku do të bëjmë çmos që vazhdimisht të rrisim numrin e pjesëmarrësve”, tha Shaqiri para fillimit të konferencës.
MASH në bashkëpunim me Agjencinë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), odat ekonomike, kompanitë dhe pushtetet lokale në të kaluarën nëpër komuna organizuan fushatë “Mëso zgjuar, puno në mënyrë profesionale” dhe kjo rezultoi në rritjen e interesit për hapjen e paraleleve të dyfishta në shkollat e mesme profesionale,nxënësit e të cilave kanë mësim praktik me mbështetjen e sektorit privat. Nga 97 paralele këtë vit, për vitin e ardhshëm shkollor numri i tyre është rritur në 223.
Ambasadorja e Zvicrës Veronik Ulman theksoi se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të gjejnë mundësi për punësim profesional dhe shprehi kënaqësinë që Zvicra ndihmon dhe merr pjesë në projektin i cili, siç tha ajo, tashmë është i suksesshëm sepse këtë vit numri i studentëve në arsimin dual do të dyfishohet.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut Antoni Peshev theksoi se Oda ka punuar intensivisht që nga viti 2007 për vendosjen e arsimit dual dhe se për anëtarët e saj ishte e qartë se nëse dëshiron të zhvillohet ekonomikisht, shteti duhet së pari t’i kushtojë vëmendje zhvillimit të fuqiasë së re punëtore.

