Konferencë “BE-ja për komunat”
Shkup, 23 mars – Në Shkup sot do të mbahet konferenca “BE-ja për komunat”, bashkërisht e organizuar nga dy programe: “BE-ja për komunat” dhe “Programi për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”.
Konferencën do ta hapë euroambasadori Dejvid Gir i cili njëherësh edhe do ta konfirmojë mbështetjen që BE-ja ua jep komunave në Maqedoninë e Veriut. Marrëveshjet, për financim me komunat shfrytëzuese të dy programeve të financuara nga BE, do t’i nënshkruajë ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Mileski.
Programi “BE për komunat” është një skemë granti me vlerë gjithsej pesë milionë euro, e cila u mundësoi tetë komunave të marrin grante të financuara nga BE-ja prej 300.000 deri në 800.000 euro. Përveç kësaj, 11 grante të siguruara nga BE-ja u dhanë në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim bashkëfinancojnë deri në 15% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të këtyre granteve. Gjithsej 19 marrëveshje bashkëfinancimi pritet të nënshkruhen gjatë Konferencës së BE-së për Komunat.
Qëllimi i dytë i konferencës “BE për komunat” është prezantimi i platformave tematike për rrjetëzimin në sektorët që janë prioritet për komunat në Maqedoninë e Veriut: digjitalizimi, menaxhimi i mbeturinave dhe lëvizshmëria urbane. Këta sektorë janë pjesë e Marrëveshjes Evropiane të Gjelbër dhe komunat Aerodrom, Ohër, Radovish, Strumicë, Tetovë, Veles, Vrapçisht dhe Qyteti i Shkupit me ndihmën e granteve të BE-së do të përgatisin dhe zbatojnë zgjidhje të përshtatshme inovative.
Lidhur me Marrëveshjen Evropiane të Gjelbër, komunave do t’u rikujtohet mundësia për të marrë pjesë në thirrjen e hapur të shpallur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian për ndarjen e çmimit të komunës së gjelbër. Komunat kanë mundësi të prezantojnë aktivitete që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit. Thirrja synon të promovojë praktikat e mira në nivel komunal të krijuara në vitin 2021 në lidhje me menaxhimin e mbeturinave. Komuna më e “gjelbër” do të marrë një çmim më 5 qershor 2022, kur do të festohet Dita Botërore e Mjedisit.