Konferenca për Bujqësinë e Qëndrueshme – platforma e re për serra dhe raporti mbi zhvillimet në Kosovë

Të enjten u mbajt konferenca mbi “Bujqësinë e Qëndrueshme dhe Vendimmarrjen e Bazuar në të Dhëna”, e cila mblodhi akterët kryesorë nga sektori publik dhe privat, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, komuniteti dhe donatorët ndërkombëtarë.

Konferenca u organizua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me PPSE, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, i implementuar nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.

Në këtë event, u prezantua Platforma për Matjen e Ndikimit të Granteve për Masën 1/Serra, një instrument i ri i cili synon të ofrojë një vlerësim më të saktë dhe gjithëpërfshirës të efekteve të granteve në bujqësi.

Përveç kësaj, u prezantuan edhe rezultatet e Raportit Gjithëpërfshirës Hulumtues mbi Bujqësinë e Qëndrueshme në Kosovë, i cili ishte komisionuar nga PPSE në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.

Ai përmendi si shembull pozitiv ndërtimin e serave dhe plantacioneve të reja të fidanëve, që janë realizuar përmes mbështetjes nga zyra zvicerane për bashkëpunim.

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,  Faton Peci

“Viteve të fundit, sektori i bujqësisë ka pësuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e menaxhimit në zhvillim”, ka thënë Peci.

Jean-Christophe Favre, përfaqësues i Ambasadës së Zvicrës, theksoi rëndësinë e përpjekjeve për qëndrueshmëri globale dhe forcimin e partneriteteve politike dhe ekonomike.

Jean-Christophe Favre, përfaqësues i Ambasadës së Zvicrës

“Është kënaqësi të kuptojmë sot pasi ne këtu nuk jemi vetëm për të folur thjesht për ekonominë, por edhe për nevojën e transformimit të saj. Unë mendoj se gjëja kryesore në sektorin strategjik është përpjekja për qëndrueshmëri globale dhe forcimi i partneriteteve tona politike dhe ekonomike”, ka thënë Favre.

Ai theksoi përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit të përpunimit të ushqimit dhe qasjen në tregje të reja, si dhe rritjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore.

Avni Ramadani, përfaqësues i PPSE – Swisscontact

“Rezultatet janë goxha të mira, sepse sektori është organizu më mirë, duke pas parasysh akterë të sektorit, duke përfshi fermerët, përpunuesit, qendrat grumbulluese, pastaj rolin e shoqatave në koordinimin bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë për t’i shtyrë përpara këto zhvillime duke ofru politika të përshtatshme, planifikime të mira dhe mbështetje financiare me grante dhe subvencione. Këtu vlen të përmendet se projekti gjatë kësaj periudhe ka bërë një shtytje në këtë drejtim duke  bashkë – investu në ide inovative, të cilat e e zhvillojnë sektorin, në radhë të parë këtu dua të përmend prodhimin e fidaneve.

Pra, me fidanishte moderne janë ndërtu tanimë shtatë fidanishte moderne në Kosovë, të cilat janë të pajisura me teknologjinë e fundit sa i përket prodhimit të fidaneve dhe në këtë mënyrë është kriju një qasje më e mirë e për fermerët, për prodhuesit vendorë, në fidane cilësore dhe kualitative, të cilat japin rezultate më të mira për 30 për qind në produktin primar ose produktin bujqësor”, ka thënë Ramadani.

Në këtë konferencë pati edhe prezantim të përvojave nga sektori privat me praktikat e Bujqësisë së Qëndrueshme, ku folës ishin: Skender Ramadani – Fidanishtja e Godancit, Karsten Klapp – Go Beyond dhe Driart Mehmetaj – Biosource shpk.

Po ashtu, konferenca u mbyll me një diskutim të gjerë mbi sfidat dhe mundësitë që i presin sektorin e bujqësisë në Kosovë, duke përfshirë koordinimin më të mirë mes fermerëve, përpunuesve, dhe institucioneve qeveritare për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë së qëndrueshme.

Pjesë e panelit ishin: Imri Demelezi, zëvendës ministër i MBPZHR-së, Laura Courbois nga Sëisscontact, Naser Krasniqi nga FAO, Klodiana Balla nga Bio Inspecta dhe Kastriot Këpuska nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.