Konferenca e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, Vengu: Shqipëria, rritje të investimeve

Konferenca e 3-të e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s që u mbajt në datat 9-10 tetor bëri bashkë në Tiranë gjeneralë, drejtues, komandantë të NATO-s, ekspertë, për të diskutuar dimensionet e reja të sigurisë së përbashkët në hapësirën digjitale.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se konferenca vjen ndërsa realiteti aktual na ballafaqon me sfida dhe fronte të reja për mbrojtjen kolektive. “Vendet e Aleancës kërkojnë të shtojnë kapacitetet, bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe sistemeve të sigurta, dhe ndërlidhjes”, theksoi ai.

Vengu nënvizoi se, “Shqipëria ka dëshmuar një rol të shtuar, qoftë nëpërmjet formimit të Komandës Kibernetike, rritjes së kapaciteteve dhe koordinimit të shtuar me NATO-n, dhe do vazhdojë të rris vëmendjen dhe investimet në këtë fushë të rëndësishme për Sigurinë Kombëtare”.

Shqipëria është vendi mikpritës i delegacioneve nga 32 vendet anëtare të Aleancës, të përfaqësuara nga ministritë e jashtme, të mbrojtjes dhe (cyber ambassadors) ambasadorët kibernetikë.

Ky event i nivelit të lartë shërben si një platformë unike për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e strategjive të përbashkëta që synojnë mbrojtjen kolektive përballë kërcënimeve gjithnjë në ndryshim në hapësirën kibernetike