Komisioni për kufirin që dy vjet jofunksional, nuk dihen planet e Qeverisë

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka treguar se çfarë plane ka për Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, i cili po i afrohet vitit të dytë që nuk është funksional. Anëtarë të komisionit paraprak thonë se një komision i ri do të ishte i gatshëm të merrej me korrigjimet e gabimeve që vlerësohet se janë bërë gjatë demarkacionit me Malin e Zi. Por, ka të tjerë që janë skeptik se dikush mund ta rregullojë këtë çështje.

Kjo punë e kufirit, për të cilin presidenti malazez foli në Prishtinë i takon trupës së përbashkët që do duhej të themelohej nga Mali i Zi dhe Kosova.

Ata që do të merrnin pjesë nga Kosova do të ishin anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit.

Mirëpo, ky komision tash e gati dy vjet është jo funksional.

Anëtarët e komisionit të fundit janë shkarkuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në korrik të vitit 2020.

Që nga atëherë fati i këtij komisioni mbetet i paqartë, edhe tani kur shteti ka një kryeministër tjetër.

Planet e Qeverisë për këtë komision nuk dihen, pasi Ekzekutivi nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet nëse synon themelimin e të njëjtit, apo nëse aktualisht është duke punuar në këtë drejtim.

Hamit Basholli ka qenë anëtar i komisionit të fundit. Ai thotë se nëse të dy palët pajtohen për korrigjime siç janë deklaruar, një komision funksional do të merrej me këtë çështje.

“Komisioni e ka bërë punën e vet. Ne kemi argumentuar gabimet të cilat janë gjetur në identifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Tani nëse ka vullnet politik duhet të krijohen termat e referencës, faktikisht autorizimet që duhet t’i ketë një trupë e përbashkët për shënjimin dhe rishqyrtimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe e gjithë kjo teknikisht, do të thotë komisioni është i gatshëm”, ka thënë Basholli.

Hamit Basholli

Mirëpo, mendim krejtësisht tjetër ka Zymer Neziri, i cili ka qenë pjesë e komisionit si përfaqësues i komunitetit të zonës së kufirit.

Neziri, i cili fajëson ish-komisionin e kryesuar nga Murat Meha për dhënie të territorit Malit të Zi, thotë se kjo çështje nuk mund të rregullohet kurrë.

“Nuk ka punë as Qeveria më, nuk ka punë as Kuvendi më, nuk ka punë as presidenti më. Presidenti mund të flas një fjalë të mirë dhe e ka folur një fjalë të mirë, mirëpo kjo nuk e ndreq punën. Kjo punë është e çrregulluar në atë shkallë sa është njësoj si ta vrasësh dikë dhe të thuash hajde se po të çojmë prej varrit”, ka thënë Neziri.

Zymer Neziri

Shënjimi i kufirit u diskutua javën e kaluar gjatë takimit në Prishtinë të presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe homologes së tij kosovare, Vjosa Osmani.

Të dy presidentët lanë të hapur mundësinë për korrigjime.