Komisioni i Venecias, Konjufca: Byroja për Konfiskimin e Pasurisë është prioritet në agjendën e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka takuar përfaqësues nga Komisioni i Venecias në përbërje Dan Meridor, James Hamilton dhe Michael Janssen, si dhe zëvendës shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankut Soykan.

Konjufca i informoi të pranishmit në lidhje me agjendën e legjislativit dhe objektivat që pritet të realizohen gjatë këtij mandati.

Ai tha se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është prioritet për nga rëndësia e legjislativit.

Tutje theksoi se Kuvendi, si organi më i lartë legjislativ i vendit, ka rol shumë të rëndësishëm në miratimin e kornizës ligjore dhe kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Kreu i Kuvendit falënderoi Komisionin e Venecias për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës dhe vlerësoi rolin e këtij Komisioni në ofrimin e opinioneve dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet ligjore që trajtohen në institucionet e vendit tonë.