Komisioni Evropian nuk komenton vizitën e delegacionit bullgar në shoqatën “Vanço Mihajllov”

Shkup, 19 prill – Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të gjejnë një “zgjidhje të pranueshme reciproke” për kontestin, por nuk pranoi të komentojë për kushtet bilaterale në procesin e BE-së, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
MIA sot në brifingun e rregullt për gazetarë të Komisionit Evropian kërkoi koment si për vizitën e delegacionit qeveritar bullgar në qendër të Manastirit me emrin e kontroversit Vanço Mihajlov, si dhe koment për paralajmërimin për bllokadë të re të rrugës së BE-së nga Sofja.
Zëdhënësja Ana Pisonero i përsëriti të njëjtat fjali të njohura për një “zgjidhje të pranueshme reciprokisht”.
“Qëndrimi ynë i prej më herët është se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar kushtet për fillimin e negociatave të anëtarësimit, siç e dini se hapat e ardhshëm janë në duart e Këshillit, nga ana jonë ne qartësisht vazhdojmë të inkurajojmë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë për të arritur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet ekzistuese dypalëshe dhe shpresojmë të shohim hapjen e negociatave formale të anëtarësimit me të dyja vendet sa më shpejt të jetë e mundur, përsëriti Pisonero.
Mbetet pa përgjigje pyetja nëse kushtet e vendosura nga Sofja – ndryshim i Kushtetutës para fillimit të negociatave me BE-në, ndryshim i teksteve etj. – janë kushte të miratuara nga Komisioni Evropian, megjithëse është e qartë se ato nuk janë pjesë e kritereve të Kopenhagës, të cilat Komisioni është i detyruar t’i respektojë si kujdestar i Kartës së BE-së.
“Ju e dini shumë mirë që kushtet për anëtarësim në BE janë këto që janë, nuk kanë ndryshuar, sigurisht. Së dyti, ju e dini mirë se në mënyrë që të fillojnë negociatat e anëtarësimit, vendet anëtare duhet të miratojnë kuadrin e negociatave. Komisioni ka paraqitur propozimin e tij në Këshill pak kohë më parë. Diskutimet janë në Këshill dhe ne vazhdojmë të inkurajojmë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet ekzistuese dypalëshe në mënyrë që të çojnë procesin përpara. Nga këndvështrimi ynë, situata është shumë e qartë: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria meritojnë të ecin përpara dhe shpresojmë në këtë hap sa më shpejt të jetë e mundur, tha Pisonero, i cili sërish nuk iu përgjigj pyetjes për pranueshmërinë e kushteve dypalëshe bullgare.
Bullgaria kundërshton kuadrin negociues të propozuar të Komisionit Evropian dhe planifikon të bllokojë përsëri Maqedoninë e Veriut në qershor për çështje dypalëshe që lidhen me historinë dhe kulturën, të cilat nuk kanë qenë kurrë pjesë e asnjë kuadri negociator.
Shqipëria po kërkon tani shkëputjen nga Maqedonia e Veriut, një shkëputje e mbështetur nga Bullgaria, por jo edhe shumë vende të tjera anëtare të BE-së. Pisonero përsëriti se qëndrimi i Komisionit Evropian është se të dy vendet e meritojnë fillimin e negociatave.
Komisioni Evropian nuk e komentoi vizitën e delegacionit bullgar në qendrën me emrin e diskutueshëm në Manastir dhe as nuk reagoi për dënimin e komunitetit hebre të Maqedonisë së Veriut.