Komisionarja për Zgjerim: Presim lëvizje në Kosovë pas zgjedhjeve
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.
Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.
“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo, shkruan Evropa e Lirë.
Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.
Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe se pret progres më të madh sesa që ka pasur një dhjetë vjetët e fundit.
“Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare”, theksoi ajo.
Kos gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.
Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Në takimin e fundit në Bruksel, më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur.

