Koalicioni qeverisës japonez drejt shpërbërjes

Partia “Komeito” e Japonisë do të largohet nga koalicioni qeverisës – i udhëhequr nga Partia Liberale Demokratike (LDP), raportoi sot agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Shpërbërja e koalicionit qeverisës mund të rrezikojë ambicien e kryetares së sapozgjedhur të LDP-së, Sanae Takaichi për t’u bërë kryeministrja e parë grua e vendit.

Konservatorja 64-vjeçare konsiderohej si kryeministrja e mundshme e ardhshme e qeverisë, si kryetare e partisë më të madhe të vendit.

Megjithatë, ajo do të kishte nevojë për votat e ligjvënësve të “Komeito” në një votim parlamentar për t’u konfirmuar në këtë rol.

Qeveria e udhëhequr nga LDP me partnerin e saj të vogël “Komeito” humbi shumicën në zgjedhjet e Dhomës së Lartë të korrikut dhe që atëherë ka qenë një qeveri minoritare.

Si pasojë e humbjes në zgjedhje, kryeministri Shigeru Ishiba dha dorëheqjen nga detyra.