Kina ndalon një sistem në automjete – jo më vetëm ‘një pedale’

Qoftë nën emrin e-pedali i gazit apo “one pedal”, disa marka – nga Tesla te Nissan, nga BMW te Renault – ofrojnë mënyrën e vozitjes me një pedale në modelet e tyre elektrike. Por kjo veçori sapo është ndaluar në Kinë për të gjitha automjetet elektrike.
Vendi lider në prodhimin e veturave elektrike e konsideron vozitjen me një pedale si diçka që i bën shoferët më të paaftë.
Rregullorja e re, e miratuar nga Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut dhe Administrata Kineze për Standardizim, ndalon funksionin që i lejon makinës të ngadalësojë deri në ndalim të plotë vetëm përmes lirimit të pedalit të gazit, pa përdorur pedalin e frenave.
Ky standard i ri, që do të zbatohet në faza, do të hyjë në fuqi për shumicën e veturave të reja më 1 janar 2026, ndërsa për modelet që janë tashmë në prodhim, do të aplikohet nga 1 janari 2027.
Kujtojmë se shtypja e pedalit të gazit e përshpejton automjetin, ndërsa lirimi i tij shkakton ngadalësim deri në ndalim të plotë. Ky funksion përmirëson efikasitetin e rikuperimit të energjisë, rrit autonominë e makinës, dhe rrit komoditetin e vozitjes, sidomos në qarkullimin urban dhe me shpejtësi të ulët.
Megjithatë, autoritetet kineze besojnë se trajnimet për të vozitur pa prekur pedalin e frenës mund të kenë pasoja të rënda në planin afatgjatë.
Humbja e zakonit për të përdorur frenën mund të çojë në reagim më të ngadaltë nga shoferët në situata që kërkojnë frenim emergjent. Shoferët e mësuar me vozitjen me një pedale mund të mos reagojnë mjaftueshëm shpejt me pedalin e frenës, duke rritur kështu rrezikun e aksidenteve.