“Jemi të gatshëm të koalicionojmë me opozitën shqiptare” – Kasami rizgjedhet kryetar i Lëvizjes Besa
Shkup, 5 mars – Bilall Kasami ngelet në pozitën e liderit në Lëvizjen BESA. Risi e Kongresit të dytë të partisë, që u mbajt sot në Shkup është zgjedhja e zëvendëskryetarit të BESËS, për herë të parë, për të cilën pozitë, siç deklaroi për mediat Kasami është zgjedhur sekretari i deritanishëm i përgjithshëm, Arianit Hoxha. Kasami nuk pati kundërkandidat për pozitën e liderit.
“Për mua ky është nder i madh dhe njëherësh përgjegjësi të jem në krye të një partie e cila dëshmoi se është konsekuente ndaj parimeve për të cilat zotohet se është mbrojtëse e të gjithë atyre që u bëhet padrejtësi”, tha Kasami.
Me zgjedhjen e zëvendëskryetarit, shtoi ai, partia e përforcon udhëheqësinë me çka përgatitet që edhe më tej të luftojë për të drejtat e shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për mbështetjen e tyre.
“Ne dëshmuam se edhe pse kemi pasur shumë probleme me të cilat jemi përballur në të kaluarën, nuk dorëzohemi dhe nuk ndalemi, por vazhdojmë edhe më fort. Ne do të angazhohemi për barazi, liri dhe për vazhdimin e rrugës drejt integrimit të plotë të Maqedonisë në BE. Kjo veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë, për të cilat ne jemi të bindur se duhet të punojmë më shumë për anëtarësimin e plotë në BE, sepse vetëm kështu do të jemi më të sigurt dhe të aftë për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe kushte më të mira për qytetarët tanë”, porositi Kasami.
Ai paralajmëroi se do të përpiqen që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt, sepse sipas BESA-s, kjo qeveri nuk është e gatshme të mbrojë interesat e qytetarëve, sidomos në këto rrethana të vështira në të cilat ndodhemi.
“Lëvizja Besa pas këtij Kongresi të Dytë vazhdon të ecë edhe më fuqishëm, po i rikthehemi derës së madhe të skenës politike të Maqedonisë, sidomos me bashkimin e shumë aktivistëve që kulmoi me bashkimin e veprimtarit Fatmir Limani. Me këtë duam të dëshmojmë se në të ardhmen dyert e Lëvizjes BESA janë të hapura për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për një të nesërme më të mirë për të gjithë ne në Maqedoninë e Veriut”, tha Kasami.
Ai paralajmëroi se në takimin e parë të Këshillit Qendror do të zgjidhet Kryesia e re Qendrore e lëvizjes.
I pyetur nëse BESA në zgjedhjet e ardhshme do të dalë e vetme apo në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, Kasami theksoi se partia është e përkushtuar për bashkimin e partive opozitare, por nëse kjo nuk ndodhë, ata janë të gatshëm të shkojnë vetëm në zgjedhje.
“Lëvizja BESA dështoi se është e interesuar për bashkëpunim dhe bashkimin e opozitës shqiptare por nuk kemi frikë edhe vetë të shkojmë në zgjedhje”, theksoi Kasami.

