Kasami: Integrimi i shqiptarëve në BE opsioni i vetëm për stabilitet dhe zhvillim
Shkup, 9 prill -Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami njëherësh edhe kryetari i komunës së Tetovës, në Tiranë po merr pjesë në panel diskutimin nën moton “Të bashkuar dhe jo të ndarë”, të organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka dhe ministri i mbrojtjes Niko Peleshi.
Siç bëhet e ditur në kumtesën e Lëvizjes Besa ai ka theksuar se Integrimi i shqiptarëve në BE është opsioni i vetëm për stabilitet dhe zhvillim.
“Në praninë e përfaqësuesve të partive politike shqiptare në rajon, ritheksuam domosdoshmërinë e integrimit shqiptar në rrugën e integrimit evropian. Fillimisht, integrimi jonë si shqiptar, do të përforcon vizionin e përbashkët të hapësirave tona për të qenë pjesë e BE-së. Bashkërisht me përfaqësues nga të gjitha hapësirat shqiptare, të rajonit dhe të Bashkimit Evropian riafirmuam nevojën e bashkëpunimit në drejtim të përforcimit të angazhimeve për një proces integrues të përshpejtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata në Ukrainë ka imponuar një qasje tjetër, më urgjente në procesin e integrimeve”, theksoi Kasami.
Kasami, mes tjerash theksoi se, përshpejtimi i këtij procesi do të thotë siguri për rajonin dhe të ardhmen evropiane.
“Mbetemi të bindur se të bashkuar mund të sigurojmë një të ardhme më të mirë për hapësirat tona dhe për rajonin. Rruga evropiane nuk ka alternativë! Integrimi i rajonit në BE do të thotë siguri dhe perspektivë për të gjithë”, shtoi Kasami.

