Karvani për vaksinim përfundoi, pritet rekomandime të reja nga KSI
Shkup, 4 prill – Përfundoi karvani për vaksinim kundër Kovid-19 që u realizua gjatë dy javëve të kaluara, Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se gati 41,2 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar me dy doza, ndërsa vetëm shtatë për qind me dozën e tretë përforcuese, por me karvanin pritet që ai numër të rritet.
Karvani filloi më 21 mars nga Shuto Orizarja, ndërsa përfundoi në Strugë. Ishin vizituar 14 rajone urbane dhe rajone rurale përgjatë gjithë shtetit. Qytetarët kishin mundësi që të vaksinohen kundër Kovid-19, por edhe që të informohen për vaksinimin dhe për përfitimet nga ai.
Sipas autoriteteve shëndetësore, personat e pavaksinuar kanë rrezik më të madh nga vdekja nga Kovid-19 në krahasim me ata të cilët ishin të vaksinuar dhe për këtë u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e shtyjnë vendimin për vaksinim.
Krahas karvanit për vaksinim, qytetarët kanë mundësi që të vaksinohen edhe në shtëpitë më të afërta shëndetësore çdo ditë pune prej orës 8 deri në orën 14, përderisa pika për vaksinim në poliklinikën “Bukuresht” në Shkup është e hapur deri në orën 20 nga e hëna deri të premten.
Numrat e fundit për të infektuarit e rinj të cilat dje i publikoi Ministria e Shëndetësisë tregojnë se janë regjistruar 196 raste të reja nga 2.067 teste të bëra. Betejën me virusin gjatë 24 orëve e humbi një person i moshës 81 vjeçare nga Manastiri. Aktive janë 1.985 raste.
Në periudhën e kaluar masat kufizuese janë lehtësuar gradualisht. Nxënësit e shkollave fillore nuk mbajnë më maska në shkollë dhe ky detyrim mbetet vetëm për stafin mësimdhënës. Në qendrat tregtare dhe zonat e hapura të restoranteve nuk kërkohet më certifikatë për vaksinimin ose kalim të sëmundjes në qendrat tregtare dhe në pjesët e hapura të objekteve hotelierike.
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse rekomandoi që maskat të mos jenë të detyrueshme për nxënësit në shkollat e mesme dhe të lejohet organizmi i i ekskursioneve. për këto rekomandime pritet vërtetimi nga Shtabi Kryesor i Krizës dhe nga Qeveria.
Përndryshe, Greqia i vazhdoi rregullat dhe masat aktuale për udhëtim në Greqi, gjegjësisht certifikatat e detyrueshme evropiane për Kovid-19, në lidhje me vaksinimin, sëmundjen e kaluar ose rezultat negativ nga PCR/rapid test, janë të detyrueshme edhe për një javë, ndërsa mes tjerash vlejnë edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Vendimi i ri ministror “Parakushtet për hyrjen në vend për të kufizuar përhapjen e Covid-19” është publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare të Greqisë dhe hyn në fuqi nesër në mëngjes dhe do të jetë i vlefshëm deri më 11 prill të vitit 2022.
Ndryshime ka në kohëzgjatjen e vendimit dhe këtë herë është një, jo dy javë, siç ishte deri tani, si dhe në dispozitat e izolimit në rast të rezultatit pozitiv gjatë testimit në pikat hyrëse në vend, dispozita që nuk përfshihen në vendimin e ri.
Në lidhje me dokumentin për Kovid-19, rregullat mbeten të pandryshuara, certifikata e vaksinimit është e vlefshme për nëntë muaj pas dozës së dytë, konfirmimi i sëmundjes zgjat 180 ditë dhe nëse udhëtoni me test negativ, duhet të bëhet 72 orë ose 24 orë më parë, varësisht nga ajo nëse është PCR ose test i shpejtë. Për personat e vaksinuar, certifikata është e vlefshme nëse kanë kaluar 14 ditë nga doza e dytë dhe jo më shumë se nëntë muaj pas vaksinimit dhe nuk ka kufizime për personat që kanë marrë dozë përforcuese.
Hyrja në vend është e lejuar për vizitorët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe zonën Shengen dhe për 35 shtete që janë të përfshira në sistemin e BE-së për certifikatë digjitale (Certifikata digjiitale e Kovid-it, EUDCC), përfshirë Maqedoninë e Veriut

