Kandidati i PD në Shkodër: Nuk do të sundoj, por do të bashkëdrejtojmë
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Shkodrës, Xhemal Bushati, gjatë fjalës së tij theksoi se problemet e Shkodrës do të zgjidhen me një program emergjent.
“Problemet e Shkodrës do t’i zgjidhim bashkë me një program emergjent. Të gjithë bashkë do të shohim nevojat, do të rishikojmë buxhetin dhe do të bëjmë më të mirën për Shkodrën. Fermerët janë shumë të rëndësishëm dhe ne do të punojmë për ta. Ata ankohen për naftën, për plehrat kimike, kanalet kulluese , vaditëse apo tregjet…Duhet t’i shërbejmë këtyre njerëzve. Unë do t’i shërbej qytetarëve me transparencën më të madhe. Nuk do ta sundoj, por do ta bashkëdrejtoj bashkinë e Shkodrës me qytetarët. Do të vijë bashkia tek qytetarët, kjo është motoja jonë. Ju premtoj që do të punojmë fort që shkollat to0na të kenë standarde europiane. Ne jemi qyteti i kulturës dhe duhet të punojmë sëbashku që vlerat t’i çojmë përpara. Besoj që Shkodra është qytet human dhe të gjithë bashkë do të ndihmojmë edhe shtresat në nevojë,. Ato nuk kanë nevojë për lëmoshë por për dinjitet. Nuk mund të lë edhe pa përmend sportin ku duhet të japim kontributin maksimal.”, tha ai.

