Julia Roberts ka rrëfyer se përse nuk është shfaqur në një komedi romantike prej 20 vitesh
Të flasësh për Julia Roberts do të thotë t’i referohesh një prej aktoreve më të rëndësishme të viteve të fundit, si dhe një përfaqësueseje të komedive romantike, duke luajtur në shumë prej filmave më të suksesshëm të këtij zhanri.
Filma si “Pretty Woman” apo “Notting Hill” janë kthyer në vepra të paharrueshme për fansat e fitueses së “Oscar” për ‘Aktoren më të mirë’ dhe për dashamirët e këtij lloji filmash, megjithëse Roberts nuk është shfaqur më në një film të këtij zhanri në 20 vitet e fundit.
Tani, Roberts, 54 vjeçare, ka vendosur të flasë hapur për tërheqjen e saj të gjatë të pavullnetshme nga komeditë romantike, duke shpjeguar se kjo ka ardhur për shkak të rrethanave si në jetën e saj personale, ashtu edhe nivelit të skenarëve që i kanë rënë në dorë.
“Nëse do të kisha lexuar diçka që mendoja se ishte niveli si në “Notting Hill” ose “My Best Friend’s Wedding” do ta bëja”, tha Roberts për New York Times.
Por kjo nuk është e gjitha, sepse nëse Roberts ka preferuar të humbasë mundësitë për t’u rikthyer për të luajtur në një komedi romantike, kjo ka ndodhur gjithashtu sepse në dekadat e fundit prioritetet e saj kanë ndryshuar dhe janë fokusuar te partneri dhe fëmijët.