Joseph: Barrikadat hiqen që të mund të vendosen lehtësisht
Tensionet në veri të Kosovës nuk janë kapërcyer në mënyrën që mund të sigurojë stabilitet, por përkundrazi ato hapin rrugë drejt paqëndrueshmërisë së vazhdueshme, thotë për Radion Evropa e Lirë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe ish-zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Mund të presim qetësi për një kohë, derisa Aleksandar Vuçiq të vendosë se i duhet sërish një krizë në Kosovë. Mbi të gjitha, ai dëshiron të ruajë levën që ka mbi Kosovën, sepse kjo e ruan pushtetin e tij”, thotë Joseph, duke shtuar se përderisa një gjë e tillë nuk do të kuptohet, nuk do të ketë përparim as për Kosovën, as për vetë Serbinë dhe demokracinë e saj, si dhe për mbarë rajonin.
“Ato barrikada, që fatmirësisht janë hequr, janë vetëm metaforë, sepse mes Serbisë dhe Kosovës ekzistojnë ‘barrikada gjigante’. Ka edhe ‘barrikada’ në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE). Njëkohësisht, këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, thekson Joseph.
Ai konsideron se ka mënyra për t’i hequr ato barrikada, por se SHBA-ja dhe BE-ja nuk duan t’i shqyrtojnë ato opsione dhe se i janë nënshtruar manipulimit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas 19 ditësh bllokimi të rrugëve, grupet e serbëve nga veriu i Kosovës i hoqën barrikadat, të cilat ishin ngritur pas arrestimit të njërit prej ish-policëve serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Kërkesat e serbëve u plotësuan, duke përfshirë lirimin e Pantiqit, si i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të cilit masa e paraburgimit iu ndryshua në arrest shtëpiak.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet në ditët dhe muajt në vijim?
Edward P. Joseph: Këto barrikada po hiqen në mënyrë të tillë që shumë lehtë të mund të vendosen përsëri. Pra, kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Kjo është një tjetër dëshmi se si Aleksandar Vuçiq manipulon SHBA-në dhe BE-në duke përdorur levën e fuqisë së ndikimit që Serbia ka mbi Kosovën.
Vuçiq pretendon se ka arritur fitore me lirimin e policit Dejan Pantiq dhe se ka siguruar marrjen e premtimin se KFOR-i nuk do të lejojë Policinë e Kosovës të hyjë në veri. Pse është problematike kjo? Sigurisht që është mirë që janë hequr barrikadat, por nuk është mirë që taktika e tillë është shpërblyer.
Pra, nëse vendosni barrikada, mund të nxirrni përfitime. Ndërkaq, ne të gjithë e dimë se cila është aktualisht çështja kryesore në veri të Kosovës, dhe këtë e dinë edhe serbët e atjeshëm, përfshirë disa prej tyre që i takova në shtator në Prishtinë.
Çështja kryesore është sundimi i ligjit në atë zonë. Pra, ky është problem edhe për serbët në veri të Kosovës, e jo vetëm për institucionet në Prishtinë, të cilat përpiqen të zgjerojnë kontrollin e tyre në atë rajon. Më saktësisht, lind pyetja se detyrë e kujt është zbatimi i ligjit.
Ky do të vazhdojë të jetë problem për serbët në veri të Kosovës dhe ata do të përdoren si peng nga Beogradi derisa të zgjidhet çështja e sovranitetit të Kosovës.
Si përfundim, këto tensione nuk janë kapërcyer në mënyrë të tillë që të garantojnë stabilitet, por ftojnë paqëndrueshmëri të vazhdueshme.
Barrikadat nuk janë formë paqësore e protestës
Radio Evropa e Lirë: Barrikadat u hoqën pasi autoritetet e Kosovës liruan nga burgu policin Dejan Pantiq. Me sa duket, SHBA-ja dhe BE-ja kanë ushtruar presion të fuqishëm ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për lirimin e Pantiqit. A kishin frikë Uashingtoni dhe Brukseli nga përshkallëzimi i mëtejshëm, duke pasur parasysh se autoritetet në Serbi e ngritën gatishmërinë luftarake të ushtrisë?
Edward P. Joseph: Nuk e di nëse SHBA-ja dhe BE-ja kishin frikë se forcat serbe do të hynin në Kosovë. Megjithatë, ishte më se e qartë se situata në veri të Kosovës ishte e trazuar.
Por, kjo nuk është për herë të parë. Një dekadë më parë kam qenë zëvendës-shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, kur situata ishte edhe më e rëndë në disa aspekte, sepse një pjesëtar i policisë speciale u vra në vitin 2011 në veri, pastaj u plagos një pjesëtar i KFOR-it (më 2009). Prandaj, nuk bëhet fjalë për një krizë të re, por për të njëjtën që po përsëritet.
Pse nuk pati asnjë reagim të duhur? Për shkak se i nënshtrohen manipulimit. Barrikadat nuk u ngritën vetëm me kërkesën për lirimin e Pantiqit. Në deklaratën e SHBA-së dhe BE-së sugjerohet se barrikadat janë formë legjitime e protestës paqësore.
Kjo nuk është e saktë, sepse barrikadat janë të paligjshme për shkak të llojeve të ndryshme të obstruksioneve, gjegjësisht pengesave dhe nuk kanë për qëllim vetëm të shprehin protestën.
Gjithashtu, një zyrtar perëndimor tha se Serbia ka të drejtë të kërkojë që një pjesë e forcave të saj të armatosura të kthehen në Kosovë. Ky është një gabim, pavarësisht se a e ka Serbia formalisht një të drejtë të tillë. E pakuptimtë është edhe të shqyrtohet kjo kur aty është KFOR-i, i cili disponon monopolin mbi përdorimin e forcës së armatosur.
Madje, edhe sugjerimi se serbët zyrtarisht e kanë atë të drejtë, minon autoritetin e KFOR-it.
Gabimin e tretë NATO e bëri duke deklaruar se Serbia ka të drejtë të për manovra dhe të lëvizjes së forcave ushtarake në territorin e saj. Serbia e ka këtë të drejtë, por nuk duhet të afirmohet, sepse është shumë provokuese.
Ushtria e Serbisë nuk ka kryer manovra, por ka vepruar në mënyrë provokuese duke vendosur një pjesë të njësive të saj në afërsi të kufirit, për të ushtruar presion ndaj Kosovës, e cila mbrohet nga KFOR-i.
Kjo do të ishte njësoj sikur të thuash se Rusia ka të drejtë të manovrojë në Detin e Zi në një distancë të caktuar nga bregu i Ukrainës. Ndoshta kjo është e vërtetë, por nuk është mirë të theksohet se lëvizje të tilla janë legjitime, sepse ato janë provokuese.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e barrikadave. Kjo nuk është hera e parë që ngrihet gatishmëria luftarake e Ushtrisë së Serbisë. Mirëpo, çështja është nëse Vuçiq do të guxonte të urdhëronte forcat e armatosura të hynin në Kosovë dhe në këtë mënyrë të rrezikonte një konflikt me KFOR-in, pra NATO-n? Apo ky ishte, thjesht,`1 manovrim dhe blof?
Edward P. Joseph: Do të ishte shumë e thjeshtë të thuash se gjithçka ka të bëjë me blofin. Nuk besoj se Vuçiq do të urdhëronte Ushtrinë e Serbe të hynte në Kosovë. Megjithatë, ai futi standarde të reja duke rritur presionin, duke rritur gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura.
Ai, gjithashtu, krijoi kushtet me të cilat mund të hyjnë forcat e armatosura serbe në Kosovë për shkak të reagimit që sugjeron se një sjellje e tillë tolerohet dhe se Beogradi ka të drejtë ta bëjë këtë.
Po e përsëris, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë, jo forcat serbe, dhe ato nuk janë të nevojshme në Kosovë.
Më lejoni t’ju kujtoj se baza më e madhe ushtarake e Serbisë ndodhet në Luginën e Preshevës, afër kufirit me Kosovën dhe se Beogradi zyrtar vazhdimisht siguron armë.
Radio Evropa e Lirë: A kishin frikë KFOR-i dhe NATO-ja nga hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë?
Edward P. Joseph: Nuk e di nëse kanë pasur frikë, por mund të them se qëndrimi i tyre ishte i gabuar, sepse nuk do t’i kontribuojë stabilitetit dhe do të lejojë që barrikadat të vendosen përsëri shumë lehtë.