Jemi vonë për në BE, Rusia te dera, faji mbetet jetim
Shkup, 30 mars – Shumica e qytetarëve mendojnë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të lëshojë pe ndaj kërkesave bullgare që kanë të bëjnë me rishikimin e historisë (71%), kushtin për gjuhën (79%) dhe pozitën e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut (65.4%). Perceptimi për ndikimin e BE-së në Maqedoninë e Veriut është ulur në renditjen më të ulët në vitet e fundit (nga 44.8% në 2019 në 9.5% në 2021). Vetëm pak maqedonas e shohin BE-në si entitetin më me ndikim (7.8%).
Perceptimi i qytetarëve për BE-në si aleatin më të madh të vendit ka rënë nga 43.2% në 2019 në 13.1% në 2021. Në të njëjtën kohë, përqindja e të anketuarve që refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje është rritur nga 1.3% në 2020 në 17.6% në 2021. Më shumë se gjysma e të anketuarve (56%) mbështesin një aleancë më të ngushtë midis partnerëve aktualë të Ballkanit të Hapur në procesin e integrimit në BE.
Këto të dhëna janë nga dy anketa të realizuara nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, transmeton Zhurnal.
A do të jetë kriza në Ukrainë një shtysë për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut?
Mesazhet optimiste të dërguara nga kryeministri bullgar Kiril Petkov pas takimit me krerët e qeverive të vendeve të NATO-s në Evropën Juglindore, përfshirë edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut janë analizuar me kujdes në opinionin vendor.
“Unë e mbështes faktin që me këtë krizë Ballkani Perëndimor duhet të jetë stabil dhe pjesë e këtij stabiliteti është edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Shpresoj se në javët e ardhshme do të përshpejtojmë negociatat”, tha dje Petkov.
Ish-kryeministri Vllado Buçkovski, i cili deri në janar të këtij viti ishte i dërguari special i qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, është i kujdesshëm në vlerësimin e tij, duke pasur parasysh ndërrimin e qëndrimeve të opozitës bullgare.
“Deklarata optimiste që dëgjuam nga kryeministri bullgar dukej befasuese, duke pasur parasysh brifingun e së shtunës të ministrit Osmani, në të cilën ai tha se ka përafrim të qëndrimeve, por asgjë më shumë se kaq. Kujdesi i Osmanit bazohet në negociatat për pakon ‘4 + 1’, kurse optimizmi i Petkovit bazohet në gjoja progresin e Komisionit të përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore. Sipas informacioneve, në takimin e kaluar është diskutuar për harmonizimin e teksteve shkollore. Nëse do të ketë përparim, duhet të jetë për mbretin Samuil. Në rrethana të këtilla, kur lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj imponojnë urgjencën në mbylljen e mosmarrëveshjes bilaterale, javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Mendoj se takimi i shtyrë në Shkup mes Osmanit dhe Gencovskës u kompensua me dy takimet mes Kovaçevskit dhe Petkovit – një në Bruksel, një në Sofje”, ka thënë Buçkovski.
Sekretari shtetëror në MPJ të Maqedonisë së Veriut, Zoran Popov, në një debat për Balkanin Perëndimor dhe BE-në në kontekst të sfidave të reja, në aspektin e sigurisë, thotë se qershori është muaji kyç për aspiratat e vendit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Sipas tij, nëse Maqedonia e Veriut merr një tjetër “jo” nga BE-ja, do të ketë pasoja të rënda në vend dhe në rajon, veçanërisht në dritën e agresionit aktual rus në Ukrainë.
Refuzimi i ri i Maqedonisë së Veriut do të çojë në “rritje të narrativës nacionaliste dhe pro-ruse,” shpjegoi Popov.
“Një tjetër “jo” do të nxisë biseda të reja për të a.q. ndarje. Presioni do të rritet mbi Shqipërinë për të vazhduar ndaras nga pakoja me ne. Nga pikëpamja politike dhe gjeostrategjike, për procesin e zgjerimit në tërësi, do të jetë katastrofik dhe do të ketë pasoja të rënda në vend.
Shtohet rreziku nga “palët e treta”
Kancelari gjerman Olaf Scholz po angazhohet fuqimisht për hapjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Scholz tha të hënën në Berlin, pas një takimi me homologen suedeze Magdalena Andersson, se të dy janë të mendimit se ka ardhur koha për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut:
“Çdo vonesë e bën Ballkanin Perëndimor më vulnerabël ndaj ndikimit të palëve të treta,” paralajmëroi Scholz.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se situata gjeopolitike e tregon urgjencën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Situata aktuale gjeopolitike e konfirmon urgjencën dhe rëndësinë e integrimit të plotë në BE të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai./Zhurnal

