Janë disa mënyra për t’i ndihmuar Kosovës të përgatitet për integrim në NATO

NATO ka thënë se përmes procesit të zgjerimit të kësaj aleance ushtarake nuk u bëhet presion shteteve të caktuara që të bëhen anëtare, porse zgjerimi më shumë është një proces i bazuar në parimin e “dyerve të hapura” për të gjithë ata që duan të anëtarësohen dhe janë të gatshëm t’i përmbushin kriteret.

Rusia ka thënë se fundmi se procesi i zgjerimit të NATO-s është shembull i agresivitetit dhe rritjes së sferës së interesave në dëm të Rusisë.

Këto akuza Moska po i bën në kohën kur ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe po kërkon që Kievi të mos bëhet kurrë pjesë e aleancës ushtarake. Ky grumbullim, nga Perëndimi po shihet si përgatitje e Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën.

Duke iu përgjigjur akuzave të Moskës, NATO ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shembull i suksesit të politikës së “dyerve të hapura”.

Shtetet e Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë shfaqur aspirata për anëtarësim, i kanë përmbushur kriteret dhe tani janë anëtare të aleancës.

Por, Serbia, e cila ka vendosur që të mos bëhet anëtare, sipas aleancës, nuk detyrohet që ta ndërrojë mendjen. Së voni, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin e tij se respekton vendimin e Beogradit për neutralitet ushtarak.

Stoltenberg ka thënë se NATO-ja nuk i detyron shtetet që t’i bashkohen aleancës, por i mban të hapura dyert për shtetet që me vullnetin dhe vendimin e tyre sovran, pa ndërhyrje nga askush, vendosin që të anëtarësohen.

Për shkak të kësaj politike, NATO ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë që, përveç mosanëtarësimit të Ukrainës në NATO, kjo e fundit të mos zgjerohet drejt lindjes.

Në ueb-faqen e NATO-s janë publikuar disa sqarime që kanë për qëllim të hedhin poshtë pretendimet e Moskës. Mes tjerash, aleanca ka përsëritur se asnjëherë nuk ka pasur garanci se ajo nuk do të zgjerohet.

Aktualisht, janë tri shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që nuk janë anëtare të NATO-s, por këto tri shtete kanë specifikat e veta.

Serbia ka vendosur që të mos bëhet anëtare e NATO-s, por ajo është partnere e kësaj aleance. Beogradi është i përfshirë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe bashkëpunon me aleancën.

Si një prej 20 shteteve të Partneritetit për Paqe, Serbia është edhe anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euro-Atlantik (EAPC), që ka 50 shtete anëtare. Ky është një forum i bashkëpunimit politik mes 30 shteteve të NATO-s dhe 20 shteteve të Partneritetit për Paqe. Në këtë këshill, anëtare janë edhe Rusia dhe Ukraina.