Ja çka kërkoi Escobari në darkën me opozitën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë qenë të ftuar mbrëmë në një darkë pune me Escobarin, i cili është përfshirë intensivisht në negociatat e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarët e deleguar amerikanë dhe ata evropianë duan një marrëveshje mes dy palëve, për të evituar tensionet, që mund të ndizen kur Kosova të fuqizojë vendimin për reciprocitet në dokumente, që është paraparë të bëhet me 1 shtator.

Amerikanët kërkuan fleksibilitet për zbatimit të marrëveshjes në lidhje me dokumentet.

“Përveç ID-ve dhe targave, po e shtyjnë një roadmap (udhërrëfyes) për krejt procesin, me u dakordu edhe për të pagjeturit”, ka thënë ky burim.

Në takimin me përfaqësuesit amerikanë, Express mëson se është kërkuar konstruktivitet i opozitës për negociatat dhe marrëveshjet e mundshme mes Kurtit dhe Vuciqit.

Ndërkombëtarët, thotë burimi i Gazetës Express, janë të shqetësuar që mund të eskalojë situata, nëse nuk ka një marrëveshje.

Burimet nga darka e mbrëmshme thonë se në aty është treguar se presidenti serb, Aleksandër Vuciq, i ka pranuar propozimet për dokumentet e identifikimit dhe targat, por kryeministri kosovar, Albin Kurti i ka refuzuar.

Kryeministri Kurti, në adresimin e sotëm për takimin e 18 gushtit, ka akuzuar palën serbe për mungesë konstruktiviteti dhe ka thënë është e pavërtetë që “njëra palë” ka pranuar propozimet e BE-së.

“Marrëveshja e lirisë së lëvizjes, ka ardhur si temë me katër propozime/opsione, që janë hedhur në tavolinë nga ana e Bashkimit Evropian, përkatësisht ndërmjetësit Lajcak. Deklarata se ka pasur propozime dhe gatishmëri nga njëra palë, janë të pavërteta”, tha Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar të tij.

Bëhet e ditur, se tani, për herë të parë është diskutuar rreth marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Por është herë e parë që ka pasur muhabet se qysh mundet me u duk marrëveshja finale”, thotë ky burim.

Për takimin me Escobarin është deklaruar vetëm Haradinaj, por pa dhënë detaje.

” Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, mbrëmë pas darkës.

Escobar ka ardhur në Prishtinë, dhe në ditën e parë të tij këtu ka takuar vetëm Presidentes Vjosa Osmani dhe krerët opozitarë.

I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, ka shkuar në Bruksel për ta përcjellë takimin e Kurtit dhe Vuciqit më 18 gusht. Para takimit të tyre, Escobar ishte takuar me të gjithë.