Ishte kthyer në “makthin” e banorëve të Kuçovës, arrestohet hajduti i banesave

Pas vjedhjeve të kryera në disa banesa në qytetin e Kuçovës,efektivët e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë mundur të arrestojnë mbrëmjen e të shtunës autorin,40-vjeçarin Alvaro Jani Merka.

Vjedhjet janë kryer të gjitha në muajin prill të këtij viti dhe çdo vjedhje kryehej gjatë natës, nëpërmjet shqyerjes së dyerve kryesore të banesave. I kthyer tashmë në “makthin” e banorëve të qytetit, këta të fundit kishin filluar të bënin edhe vetë roje natën për të kapur hajdutin.

40-vjeçari është identifikuar nëpërmjet kamerave të sigurisë së banesave ku edhe ka kryer vjedhjet. Vetëm gjatë muajit prill 2022 ai ka vjedhur 3 banesat e shtetasve: Agim Qorraj, Fatmir Minxhq dhe Nikollaq Ndina, të treja në lagje të ndryshme të qytetit.

Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se Merka ishte i mirëinformuar për sendet me vlerë dhe bixhuteritë që ndodheshin në banesat ku hynte për të kryer vjedhjet. Të njëjta burime konfirmojnë se mes sendeve të vjedhura e të sekuestruara janë gjetur bixhuteri, sende me vlerë, para, pije alkolike etj.