Incineratori i Tiranës, Kryemadhi sërish kallëzim në SPAK: Bashkia ka lejuar ndërtim pa leje në 15 ha për depozitimin e dherave nga kompanitë e ndërtimit

Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, ka hedhur më shumë dritë lidhur mbi atë që njihet si “afera e incineratorëve”, veçmas të Tiranës.
Në një konferencë për mediat me gazetarët Zonja Kryemadhi tha se koncesionari paguhet nga shteti, por nuk monitorohet dhe nuk ka asnjë përmbushje detyrimi.
Por për zonjën Kryemadhi më shqetësues është fakti se Bashkia e Tiranës ka lejuar ndërtim pa leje në 15 ha duke kryer edhe dëm mjedisor. Me këtë rast ajo paraqiti edhe një hartë ku janë depozituar dhera nga kompanitë e ndërtimit.
“15 Hektarë është harta e depozitimeve jashtë territorit të landifillit. Pra inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit kanë mbushur një sipërfaqe me 15 Hektarë. Edhe liqenet janë bërë tokë” tha zonja Kryemadhi.
Shqetësuese për të është dhe fakti se “Monitorimi nga Autoriteti Kontraktues dhe Bashkia Tiranë nuk funksionon. Njësia e Zbatimit të Projektit nuk është formuar. Kontrata e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës funksionon vetëm për të paguar koncesionarin ndërkohë, që nuk ka asnjë përmbushje detyrimi nga koncesionari” tha zonja Kryemadhi.
“Do të shikoni si vidhen shqiptarët, si mashtrohen, si dëmtohet shëndeti i qytetarëve të Tiranës dhe skandale nga më të padëgjuarat, që vetëm mendja dibolike dhe e sëmurë për korrupsion e Erion Veliaj, mund të kryejnë këto shkelje” ishte një nga deklaratat e forta të zonjës Kryemadhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë e cila deri më tani ka bërë 3 denoncime në SPAK, shprehet se ka marrë kërcënime, por thekson se është e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje.
Zonja Kryemadhi tha se kallëzimin në SPAK do ta bëjnë nëpërmje postës ditën e sotme.