Incineratorët, Kulluri: Vlerësojmë thellimin e hetimeve nga SPAK për rolin e Bashkisë Tiranë

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri në një deklaratë për media ka vlerësuar thellimin e hetimeve nga ana e SPAK në lidhje me rolin e Bashkisë së Tiranës për Inceneratorët.

Sipas PD-së, Kryebashkiaku Veliaj është angazhuar personalisht me shkrim përmes anekseve të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit,  se merr përgjegjësinë e plotë për detyrimet financiare sipas kontratës për Landfilin e Sharrës, për një shërbim që nuk u ofrua kurrë.

“Njëkohësisht opinioni publik pret nxjerrjen e përgjegjësive ligjore të funksionarëve më të lartë të Bashkisë, si Kryetarin dhe Administratorin e Përgjithshëm për këto arsye:

1) Kryetari i Bashkisë Tiranë është angazhuar personalisht me shkrim përmes anekseve të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit,  se merr përgjegjësinë e plotë për detyrimet financiare sipas kontratës për Landfilin e Sharrës, për një shërbim që nuk u ofrua kurrë;

2) Kryetari i Bashkisë Tiranë përfaqëson autoritetin më të lartë ligjor në marrëdhënie më palët e treta, konkretisht kompaninë që nuk e ofroi as edhe një ditë djegien e mbetjeve;

3) Menaxhimi i Mbetjeve Urbane është kompetencë ekskluzive e njësive të qeverisjes vendore, konkretisht Bashkisë Tiranë;

4) Administratori i Përgjithshëm është personi përgjegjës sipas ligjit për Buxhetin e Shtetit për të ardhurat dhe shpenzimet e institucionit”, deklaroi Kulluri. Ky i fundit inkurajoi SPAK dhe GJKKO që të thellojnë hetimet për Bashkinë e Tiranës.