Incident në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi i tregon prangat Veliajt

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u miratua buxheti për vitin 2024, është shoqëruar me një incident.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u bë shkak për ndërprerjen e mbledhjes, pasi në momentin që kreu i Bashkisë Erion veliaj mori fjalën, ai iu afrua duke i treguar pranga.  Blushi i la prangat mbi tavolinën e kryetarit të Bashkisë, ndërsa Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko i tërhoqi atij vërejtjen dhe më pas i kërkoi largohej nga salla, ndërsa mbledhja u ndërpre për disa minuta.

Zoti Blushi ju lutem, ju tërheq vëmendjen, ju paralajmëroj. Sipas rregullores, zoti Blushi ju ftoj të lini sallën e Këshillit Bashkiak. Pezullohet mbledhja deri sa Blushi të lirojë sallën. Pezullohet mbledhja 5 minuta. Policia bashkiake ju lutem ndihmën tuaj që zoti Blushi të lërë sallën”, tha Kuko gjatë mbledhjes.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi buxhetin për vitin 2024, për të cilin kryebashkiaku Veliaj u shpreh se është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar.