Ikonomu: Marrëveshja e Prespës nuk është pengesë për bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Turqisë

Shkup, 19 gusht – Në praktikë tregohet se naive dhe sipërfaqësore janë qëndrimet se Marrëveshja e Prespës do të paraqiste pengesë për çfarëdo bashkëpunim të Turqisë me Maqedoninë e Veriut, ka thënë zëdhënësi i qeverisë greke, Janis Ikonomu në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët duke komentuar marrëveshjen e nënshkruar për bashkëpunim ushtarak mes Shkupit dhe Ankarasë, ka njoftuar korrespondentja e MIA-s në Athinë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për qëndrimin e qeverisë lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Stamboll, Ikonomu ka potencuar se bëhet fjalë për dy vende anëtare të NATO-s.

“Siç e dini vendi jonë ka marrëveshjen e saj në mbrojtje me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende anëtare të NATO-s. Ndjekim dhe e dimë se kjo marrëveshje është nënshkruar në Stamboll në margjinat e panairit për industrinë mbrojtëse. Diçka mund të shtohet se në praktikë u tregua se janë naive dhe sipërfaqësore ato qëndrime që u mbështeten se Marrëveshja e Prespës do të paraqiste pengesë për hyrjen e Turqisë për bashkëpunim në çfarëdo mënyre me vendin tonë fqinjë”, ka thënë Ikonomu.

Marrëveshjen e nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë e ka komentuar edhe ish shefi i diplomacisë greke dhe kompetent për politikë të jashtme në SIRIZA, Jorgos Katrugallos i cili në “Tuiter” ka shkruar se “marrëveshje të tilla me Greqinë presin dy vite votimin e tyre, ndërsa për të reja as që përmendet”.