I jepte raporte mjekësore fiktive studentëve në këmbim të parave, Prokuria jep masën për mjekun e Akademisë së Sigurisë

Prokuroria ka caktuar masën “arrest në burg” për mjekun e Akademisë së Sigurisë, Arjan Xhaferaj, që jepte raporte mjekësore fiktive në këmbim të parave.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë , bënë të ditur se mjeku Arjan Xhaferaj merrte ryshfet 1 mijë deri në 2 mijë lekë për të lëshuar raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë. Janë dokumentuar deri në 45 raste të tilla kur mjeku ka përfituar ryshfet.
Sipas njoftimit mësohet se , sot më datën (14 dhjetor) u caktua masa e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. X. me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”; “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore të parashikuar përkatësisht nga nenet 259/1188/2 të Kodit Penal.
“Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. Xh., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësorë fiktive për kursantët dhe studentët e Akademise së Sigurisë”, bëhet e ditur në njoftim.
Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore rreth 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A.X., dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor,siguronin fiktivisht raportin mjeksor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.
Më tej, është provuar se mjeku i arrestuar kryente falsifikimin e raporteve mjeksore duke i lëshuar për studentët në kohë të mëparshme si edhe duke i lëshuar personave të tretë pa qenë prezent dhe pa u vizituar tek ai si mjek.
“Të dhënat e hetimeve paraprake, u vlerësuan veçanërisht për shkak të rrethanave të faktit, pasojës dhe rrezikshmërisë së veprës penale, ku kursantët që synohet të dalin në terren dhe të sigurojnë zbatimin e ligjit, edukohen në të kundërt që në embrionin e tyre profesional. Akademia e Sigurisë është vendi ku përgatiten oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të cilët në një të ardhme të afërt do të përballen me forma të ndryshme të krimit dhe do të jenë garantuesit e zbatimin e ligjit”.
Për sa sipër, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë.