Hoxhallarët para politikanëve, besim i ulët në institucionet e shtetit (TABELA)

Shkup, 8 dhjetor – Besimi i qytetarëve tek institucionet kalon nga i ulët në të moderuar dhe nuk ka asnjë institucion në vend që gëzon besim të lartë. Shprehur në shkallën nga 1 deri në 10, Qeveria me 2.8, Parlamenti me 2.7, partitë politike 2.5, Prokuroria publike 2.5 dhe gjykatat 2.4 janë institucionet në të cilat qytetarët kanë besimin më të ulët. Presidenti i shtetit ka besim në 3.5, policia 3.8 dhe pushteti lokal 3.7 gëzojnë besim të moderuar ndërsa institucioni me besimin më të lartë është ushtria 4.9. Mediat 3.5 dhe organizatat joqeveritare 3.5 gjithashtu kanë besim të ulët deri në të moderuar, ndërsa organizatat dhe aleancat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara 3.9, NATO 3.8 dhe BE-ja 3.5, dhe komunitetet fetare 4.4 gëzojnë besim të moderuar.

Këtë e dëshmon hulumtimi i opinionit publik “Praktikat për informim, ndjekjen e ngjarjeve aktuale dhe perceptimet e transparencës së institucioneve”, të cilën Instituti i Studimeve të Komunikimit e zhvilloi gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti. Hulumtimi shqyrtoi perceptimet e qytetarëve për besimin e tyre në institucione, transparencën dhe llogaridhënien, si dhe mënyrën se si qytetarët informohen dhe ballafaqohen me dezinformatat e mundshme.