Hollshtajn: Të gjendet zgjidhje e pranueshme edhe për Maqedoninë edhe për Bullgarinë

Shkup, 6 maj – Duhet të gjendet zgjidhje për kontestin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë e cila do të jetë e mirë për të dyja vendet, deklaroi sot ambasadorja gjermane në shtet, Anke Hollshtajn.

“Rol udhëheqës në BE për momentin ka Franca, e cila kryeson me Bashkimin Evropian. Por, të gjithë ne pajtohemi me atë se duhet të ndihmojmë që të gjendet mënyrë dhe zgjidhje e cila do të jetë e mirë edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për Bullgarinë”, theksoi Hollshtajn në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve nëse Gjermania ka ndonjë plan që të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Hollshtajn e cila bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski sot e vizitoi kompaninë nga industria automobilistike “Markart” në fshatin e Velesit Dolno Kalaslari, gjithashtu theksoi se politika e zgjerimit të BE-së sot më shumë se kurdoherë përfaqëson edhe politikë të sigurisë.

“Gjegjësisht ky fakt te të gjithë duhet të nënkuptojë përgjegjësi në momentet kur do të duhet të merren vendime”, theksoi Hollshtajn.

Kryeministri Kovaçevski, i pyetur që ta komentojë deklaratën e presidentit Stevo Pendarovski i cili vlerësoi se është korrekt qëndrimi i liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski se partia nuk do të mbështesë ndryshim të Kushtetutës për futje të bullgarëve në të, nëse nuk merret garanci nga Sofja se nuk do të ketë kushtëzime të reja, tha se ajo deklaratë është gati identike me deklaratën e tij.

“Sa i përket deklaratës së presidentit Pendarovski, ajo në praktikë është identike me deklaratën time se me Republikën e Bullgarisë duhet të ketë zgjidhje gjithëpërfshirëse e cila do t’i mbyllë të gjithë çështjet e hapura dhe e cila do të nënkuptojë ngritje të pakushtëzuar të vetos të cilën Bullgaria e ka vendosur për fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut me BE-në”, tha Kovaçevski.

Në pyetjen a është optimist se deri më qershor do të mund të zgjidhej kontesti me Bullgarinë, kryeministri tha se është optimist racional, se beson në realizimin e qëllimit të caktuar dhe se po punon që ai qëllim të realizohet.

“Që nga vetë fillimi pasi isha zgjedhur kryetar i Qeverisë thashë se nuk lidhem për data dhe në asnjë moment nuk kam përmendur asnjë datë. Thash se neve na duhet zgjidhje e shpejtë, megjithatë jo e përshpejtuar”, tha Kovaçevski.