Hodhi foshnjën në lumin Kir, arrestohet nëna 32-vjeçare
Një 32-vjeçare është arrestuar këtë të shtunë për veprën penale të vrasjes në Shkodër. Policia bën me dije se Orjana Gremi ka hedhur foshnjën e saj të sapolindur në Lumin Kir, dhe për pasojë foshnja ka humbur jetën. Fëmija kishte lindur në 30 dhjetor të 2022 dhe gjatë natës nëna e ka marrë dhe e ka hedhur në lumë duke i shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor ka nisur punën, ndërkohë nuk dihen ende arsyet që kanë shtyrë këtë të re të ndërmarrë këtë akt kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bazuar në inteligjencën informative, se mbrëmjen e djeshme, një shtetase dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të seksit mashkull, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, dhe mund ta hidhte në lumin Kir, kanë organizuar punën për verifikimin e këtij informacioni të marrë.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës së 32-vjeçares e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçe, banuese në fshatin Myselim. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.