Hetohet djegia e pallatit, ekspertët mbledhin prova brenda fasadës dhe apartamenteve të shkrumbuara

Një ditë pas zjarrit që përfshiu pallatin ku jetonin 69 familje, në  rrugën “Sali Butka” në  zonë e ish parkut të autobusëve, kanë nisur hetimet se çfarë e shkaktoi zjarrin që mund të kishte  përfunduar në një  tragjedi nëse të gjithë banorët e rrezikuar  nuk do të kishin dalë jashtë në kohë.

U deshën 10 orë që ekipet e zjarrfikëses të shuanin flakët që përpinë pallatin , dhe këtë mëngjes kur çdo gjë është bërë shkrumb dhe hi, një grup ekspertësh po kërkon për shkaqet e zjarrit kat pas kati.

Dyshimet paraprake janë se zjarri nisi në katin e dytë dhe më pas përmes një paneli ndërlidhës  i të gjitha kateve të pallatit, flakët u përhapen më gjerë.

Të ndihmuara edhe nga materiali me të cilin ishte ndërtuar fasada, flakët u përhapen deri në 5 kate në mënyrë të frikshme.

Sipas banorëve herë pas herë ka pasur probleme me energjinë, pasi binte automati.

Ndërsa për sa u përket dëmeve materialeve, ekspertët vlerësojnë se 3 apartamente jane djegur plotesisht, 1 tjeter 30% dhe 10-13 apartamente të tjerë janë djegur pjesërisht.