Helmohen tre persona në një lokal në Shkodër, dyshohet se kanë pirë acid, sekuestrohet hoteli dhe restoranti

Sekuestrohet një hotel dhe një restorant në Shkodër pasi dyshohet se në të janë helmuar 3 persona, një 41-vjeçare dhe djali i saj 14 vjeç, si dhe një 30-vjeçar, kamarier në këtë subjekt.

Me indicie të prokurorisë se rrethit Shkodër të mbështetur nga AKU, po bëhet bllokimi i subjektit, pasi mendohet se uji i konsumuar ka qenë i kontaminuar.

Gazetari Senad Nikshiqi bën me dije për BalkanWeb se mendohet se në shishen e ujit të ketë pasur lëndë djegëse, pasi mjekët thonë se 3 personat, janë paraqitur me djegie në ezofag, dhe dyshohet se kanë konsumuar acid.

Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.

Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.